Ekonomisti i njohur Safet Gërxhaliu ka ngritur shqetësime serioze mbi trajtimin institucional të sektorit ekonomik dhe privat në Kosovë, duke thënë se çdo debat konsultativ me autoritetet “e ka humbur kuptimin” për shkak të mungesës së vullnetit për të dëgjuar dhe zbatuar rekomandimet profesionale.
“Sa më shumë që argumentojmë dhe paralajmërojmë se kjo situatë do të vështirësohet, aq më shumë hasim në vesh të shurdhër,” deklaroi Gërxhaliu.
Ai tha se për të nuk është më befasi që zhvillimet ekonomike po anashkalohen, ndërkohë që distanca mes institucioneve dhe sektorit privat vetëm sa po thellohet. Sipas tij, mungesa e mbështetjes së sektorit prodhues dhe e një komunikimi të mirëfilltë me bizneset përbëjnë një problem të vazhdueshëm.
“Në këtë drejtim, me qëllim apo pa qëllim, Kosova po shndërrohet në një shtet të varur nga importi. Dhe sa më shumë që varet nga importi, aq më shumë importojmë inflacion të heshtur,” u shpreh Gërxhaliu. Ai theksoi se kjo varësi po ndikon drejtpërdrejt në çmimet për qytetarët: “Sot po e them me përgjegjësi – çmimet e produkteve esenciale janë më të larta në Kosovë sesa në Gjermani dhe Austri, ku pagat janë diametralisht të kundërta me tonat.”