Lajme
Gërvallës iu zbulua takimi me Al-Malikin në ditën që Izraeli e çoi ambasadoren Ziv në Kosovë
Demokracia
14:09 | 06 Prill 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është takuar me homologun e saj palestinez, Riyad Al-Maliki, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, i cili u mbajt me 11-13 mars. Por, këtë takim Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë.

Në ditën që Demokracia.com ia zbuloi takimin që e kishte mbajtur të fshehtë, Gërvalla e priti në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Diplomatja izraelite është ambasadore jo-rezidente dhe punën e saj e bën nga zyra e saj në Jerusalem, derisa të marr epilog çështja e ambasadës së Izraelit në Kosovë.

Demokracia.com ka raportuar të martën se Gërvalla dhe Al-Maliki ishin takuar në Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë në mars të këtij viti.

Në këtë takim është diskutuar edhe për mbylljen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës.

Siç thuhet në njoftimin për media, të cilin e kishte publikuar Demokracia.com, gjatë takimit Gërvalla shprehu dëshirën e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shtetit të Palestinës, përcjell Demokracia.com.

Nga ana tjetër, ministri Al-Maliki i kishe thënë Gërvallës se Shteti i Palestinës gëzon një marrëdhënie të veçantë me Serbinë, duke shtuar se mundësia e shqyrtimit të ndërtimit të çfarëdo marrëdhënie dypalëshe me Kosovën kushtëzohet me transferimin e Ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi në Tel Aviv. “Pasi prania e ambasadës në Jerusalem është një qëndrim që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, thuhet mes tjerash në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Ministri Al-Maliki po ashtu kishte deklaruar se kjo shkelje nuk do t’i sjellë dobi Kosovës në gjetjen e rrugës drejt arritjes së njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në bashkësinë ndërkombëtare.

Lidhur me mostransparencën e Gërvallës për këtë takim ka pasur reagime të shumta.

Ish-kryediplomatja, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se mbajtja sekret e një takimi të tillë e dëmton raportin e Kosovës me shtetin e Izraelit.

“Mostransparenca e Ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë, dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë per të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tonë”, kishte shkruar dje Haradinaj-Stublla.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se ministrja Gërvalla duhet të tregojë se cila ka qenë përgjigja e saj ndaj kërkesës së Al-Malikit të Palestinës, që Kosova të zhvendos ambasadën nga Jerusalemi në Tel Aviv në rast se dëshiron të ketë raporte me Palestinën.

“Në raportimin e fundit të Ministres së Punëve të Jashtme para Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dëgjuam deklaratën e të bërit diplomaci të heshtur. Në këtë kuadër, me siguri llogaritet edhe takimi i saj me homologun e saj palestinez z. Al-Maliki. Nëse e lexojmë postimin e ministrit palestinez e kuptojmë deri dikund heshtjen e Donikës, e megjithatë duhet t‘i shtrojmë një pyetje ministres tonë: Cila ishte përgjigjja e saj në kërkesën e Palestinës për heqjen e Ambasadës së RKS-së nga Jerusalemi?”, ka thënë ajo. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

Gërvalla diskutoi mbylljen e ambasadës në Jerusalem, nuk e beri publik takimin me kryediplomatin palestinez

Të ngjashme