Lajme
Gërvalla sillet si shefe e protokollit, kryediplomaten gjermane e takoi e vetme veç në aeroport
Demokracia
13:34 | 11 Mars 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, të enjten ka nisur  vizitën zyrtare në Kosovë.

Në vizitën dyditore, ajo nuk kishte paraparë takim bilateral e kokë-me-kokë me homologen e saj kosovare, Donika Gërvalla- Schwarz, shkruan Demokracia.com.

Kryediplomatja kosovare të vetmin takim me homologen e saj e kishte në aeroport, ku kishte dalë ta priste vetë ajo, duke e bërë kështu punën e zyrtarëve të protokollit të shtetit.

“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj.Donika Gërvalla- Schwarz ka mirëpritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ministren e Jashtme të Gjermanisë znj.Annalena Baerbock”, thuhej në njoftimin e ministrisë që drejtohet nga Gërvalla.

Nuk dihen ende arsyet pse Gërvalla- Schwarz nuk ka pasur takim të veçantë me ministren gjermane.

Gërvalla-Schwarz ka marrë pjesë vetëm në takimin që e ka zhvilluar kryeministri Albin Kurti me kryediplomatën gjermane, por jo vetëm me të, siç ishte paraparë me homologun e saj në Bosnje e Hercegovinë.

Shefja e politikës së jashtme të Gjermanisë është edhe sot në Kosovë, por Donika Gërvalla-Schwarz, sipas një njoftimi të MPJD-së, bashkë me presidenten Vjosa Osmani kanë udhëtuar për në Turqi, ku do të marrin pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

Për dallim nga vizita e saj në Kosovë, kryediplomatja Baerbock gjatë vizitës në Bosnje e Hercegovinë është takuar me ministrin e jashtëm të këtij vendi. /Demokracia.com/ 

 

 

Të ngjashme