Lajme
Gërvalla s’e di qysh do të hiqen masat as pas vizitës së Kallas: Ka influenca të tjera brenda BE-së
Demokracia
22:29 | 24 Maj 2025

Share:

Doli për ta pritur në aeroport, ndërkaq mori pjesë edhe në një darkë pune me të, megjithatë, kryediplomatja në largim, Donika Gërvalla, duket se s’e ka kuptuar se si do të ndodhë heqja graduale e masave për të cilën foli gjatë vizitës së saj në Kosovë shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

Nuk dihet nëse gjatë këtyre takimeve është folur për heqjen e masave dhe mënyrën se si do të ndodhë kjo, megjithatë, në një intervistë dhënë së fundi në “KTV”,Gërvalla u duk shumë e paqartë rreth kësaj çështje.

“Ajo madje, tha se ka shumë shtete që janë “pro” heqjes së masave, por foli për disa të tjera, për të cilat tha se janë “influenca brenda BE-së dhe mbështetëse të forta të Serbisë”.

Me sa e kam kuptuar, të gjithë procesin, dhe jo vetëm deklaratën, ka një dëshirë dhe vullnet të madh që këto masa të avullohen disi, por duke ditë që kemi influenca të tjera brenda BE-së, nuk avullojnë siç kanë ardhur.

Çështja e masave shkon përtej Kosovës, është një betejë e brendshme e ndikimeve të ndryshme brenda BE-së, ku shtete të caktuara që janë mbështetëse të forta jo vetëm të Serbisë, por që s’e fshehin që s’janë në një linjë me BE-në edhe për Rusinë, kjo qasje reflektohen edhe te çështja e Kosovës.

Ka disa propozime për heqjen graduale të masave, por nuk janë të sotme dhe prandaj unë hezitoj të flas konkretisht për gjëra që nuk kanë kaluar nëpër sprovën e realizimit të tyre” – u shpreh Gërvalla, transmeton Nacionale.

Derisa Kallas e bëri të qartë në deklarimin e saj se heqja e masave është e kushtëzuar me deeskalimin në veri, Gëvalla tha se “nuk e pa kështu”.

“Nuk e di, unë i lexova krejt ndryshe fjalët, e pash si një deklarim shumë konstruktiv dhe që tregonte se në BE ka interesim të madh për t’i hequr masat, për ta përforuar situatën e Kosovës në integrimin evropian. Ndoshta, kemi dëgjuar të njëjtën deklaratë por e kemi interpretuar në forma të ndryshme”.

Çka tha kryediplomatja evropiane?

Të enjten, me të arritur në Kosovë, Kallas mbajti një konferencë për media, ku mes tjerash konfirmoi se Bashkimi Evropian ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat u vendosën para gati dy viteve.

“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur t’i heqë gradualisht masat, që u vendosën në qershor të vitit 2023. Ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës, dhe lidhje më të afërta me BE-në. Ky vendim, është i kushtëzuar në deeskalimin e qëndrueshëm në veri.

Siç thash, BE-ja ka nisur heqjen e masave. Mendoj që është e rëndësishme të kuptohet, që njëkohësisht nuk duam eskalim në veri. Po e them këtë sepse unë personalisht kam bindur shtetet anëtare që duhet t’i heqim masat për Kosovën, por disa po thonë që Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe eskalimi në veri shkon në kundërshtim me këtë. Dhe këtu kemi hasur në vështirësi. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat në anën tonë, por me të vërtetë duhet të shohim deeskalim në veri” – tha ajo.

Të ngjashme