Lajme
Gërvalla përplaset për UÇK-në me ministrin e Vuçiqit, fillon ta kuptojë pak diplomacinë
Demokracia
00:03 | 21 Prill 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është përplasur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Gërvalla i është përgjigjur ministrit serb, i cili tha se kasapët e Ballkanit janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, shkruan Demorkacia.com.

Edhe pse nuk i ka mbrojtur direkt Thaçin e Veselin, duke ia përmendur emrat, Gërvalla e ka mbrojtur luftën e UÇK-së.

“Ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta. Nuk ka të vërteta alternative. Ka vetëm një të vërtetë dhe të gjithë e dimë të vërtetën e Kasapit të Ballkanit. Nuk kemi nevojë të krijojmë të rinj, sepse është Sllobodan Millosheviqi ai”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja Gërvalla tha se të gjithë i dinë për krimet e Millosheviqit, duke u nisur nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e deri te Kosova.

“Është tepër zhgënjyese që Serbia sot nuk arrin të distancohet nga krimet e Millosheviqit. I ka kryer jo vetëm në Kosovë. Ka filluar me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Kosovën”, shtoi ajo.

Tutje, Gërvalla tha se NATO ndërhyri në Kosovë për të ndalur gjenocidin serb.

“NATO erdhi për ta ndalur gjenocidin. E kuptoj shumë qartë pse Rusia është agresive ndaj Kosovës dhe çfarëdo lloj storie të suksesit që Kosova përfaqëson. Të jem këtu e të dëgjoj përfaqësuesen e Rusisë që flet për UÇK-në, më përkujton njerëzit trima të Ukrainës. Të njëjtat fjalë po i thoni për ta. Jam shumë krenare që përfaqësojë sot një shtet ku gra e burra, ushtarët trima, pjesëtarë të UÇK-së, kanë mbrojtur popullin e vet, shtëpitë e tyre dhe shtetin e tyre. Jam shumë krenare për këtë”, shtoi Gërvalla.

Ajo tha se Selakoviq po përpiqet jo vetëm të falsifikojë faktet, por edhe të bëjë diçka që e bënte edhe Millosheviqi.

Gërvalla ia ka përmendur Serbisë edhe rastin Panda, ku Serbia vrau qytetarët serbë për të fajësuar shqiptarët.

“Vetë serbët kanë vrarë serbë të tjerë”, tha ajo.

Gërvalla, po ashtu, përmendi edhe kërcënimet serbe ndaj senatorit zviceran Dick Marty.

“Ndoshta mund të përmend senatorin zviceran, i cili kishte përgatitur një raport për krimet që ai i akuzonte përfaqësuesit e Kosovës. I njëjti zotëri Marty u ka thënë mediave që policia zvicerane e ka kontaktuar dhe i ka ofruar sigurinë më të madhe në Zvicër, sepse po pretendohet se agjencitë e inteligjencës serbe kanë dashur ta vrasin atë dhe ta fajësojnë Kosovën. Ky është formulimi i policisë zvicerane”, tha ajo.

Selakoviq i ka akuzuar sërish Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke i quajtur ata kasapë të Ballkanit. Ai ka akuzuar edhe për kinse përndjekje të serbëve nga Kosova. /Demorkacia.com/

 

 

 

Të ngjashme