Lajme
Gërvalla nga distanca përfshihet në një ‘debat’ me kryeministrin e Holandës
Demokracia
16:56 | 29 Mars 2022

Share:

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka kundërshtuar paralajmërimin e kryeministrit holandez, Mark Rutte se anëtarësimi i shpejtë i Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) do të cenonte stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla-Schwarz tha për gazetën ndërkombëtare Newsweek se Prishtina “me gjithë zemër” e mbështet kërkesën e Kievit për përshpejtim të procesit të anëtarësimit të saj në BE.

Rutte paralajmëroi javën e kaluar se përshpejtimi i procesit për Ukrainën mund të minojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. “Ka vende që duan gjithashtu [anëtarësimin]”, tha Rutte.

“Aderimi në BE është një proces. Nuk ka procedurë të shpejtë për pranim. Nëse do ta bënim këtë, ne do ta kthenim këtë proces në një proces politik dhe kjo nuk duhet të na ndodhë.”

Por Gërvalla-Schwarz tha se Kosova beson se BE-ja duhet të miratojë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjitha vendet e BE-së.

“Ne po rrisim përpjekjet tona për të përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE dhe NATO, por në të njëjtën kohë për të bindur pesë partnerët e mbetur të BE-së që të ndjekin shumicën dërrmuese brenda BE-së dhe t’i japin fund shpejt pasigurisë në Evropën Juglindore duke njohur kufijtë e vendit tonë”, ka thënë Gervalla-Schwarz.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar se një gjë e tillë do të ishte një sinjal i fortë për Vuçiqin dhe Vladimir Putinin, duke mos ngurruar që këtë të fundit ta përshkruaj edhe si kriminel lufte, shkruan Newsweek.

Gërvalla tutje ka shtuar se për sa kohë Vuçiq dhe Putin mund të llogarisin në faktin se BE-ja është e ndarë sa i përket kësaj çështje, atëherë çdo kufi i kontestuar në Evropë rrezikon jo vetëm të provokohet por edhe përballet me luftë.

“Për sa kohë që Vuçiq dhe Putin mund të llogarisin në faktin se BE-ja mbetet e ndarë dhe nuk e mbyll atë kapitull, çdo kufi i kontestuar në Evropë do të vazhdojë të përbëjë rrezik jo vetëm të provokimit, por për më tepër të veprimeve të dhunshme dhe madje edhe të luftës”, ka thënë Gërvalla.

“Njerëzit tanë janë me të vërtetë evropianë dhe ne besojmë sinqerisht se BE-ja është përgjigja historike për t’i dhënë fund luftërave në kontinentin tonë, siç e ka dëshmuar me Gjermaninë dhe Francën dhe shumë shembuj të tjerë historikë.”, ka thënë në fund Gërvalla.

Të ngjashme