Lajme
Gërvalla me arsyetime të lodhta për shpenzimet e Prindon Sadriut, që lehtësisht “filtrohen”
Demokracia
14:18 | 26 Korrik 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar sot se publikimi i shpenzimeve të ish të ngarkuarit si shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, Prindon Sadriut, ka qenë i pamundur për ministrinë. Kjo, sipas Gërvallës, pasi që Ministria e Punëve të Jashtme ka mungesë të kapaciteteve për trajtimin e rasteve të shpenzimeve të secilit mision “veç e veç”.

Realisht, kjo është arsye fyese për çdo zyre të financave nëpër institucione, pasi që ato shpenzime lehtësisht mund t’i filtrojë MPJD.

Demokracia.com nga burime brenda MPJD mëson se këto shpenzime janë me kod buxhetor dhe mund të identifikohen pa problem nga ana e kësaj ministrie, njëjtë sikurse ndodh edhe me deputetët dhe kryetarët e komunave.

Në një konferencë për media në Prishtinë, të martën, Gërvalla ka deklaruar se shpenzimet do të publikohen si të plota, në një periudhë afatshkurtër kohore.

“Ne kemi pasur një kërkesë. Ministria e Punëve të Jashtme, shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk janë të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht, prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme. Shpenzimet nuk mund t’i ndajmë veç e veç”, tha Gërvalla.

Për refuzimin e dhënies së këtyre faturave për media, ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla u dënua me 13 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, që e mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit diplomatik në Shkup, më 2 mars të viti 2020, kishte kërkuar nga Ambasadori i Kosovës në atë kohë Gjergj Dedaj, që t’ia ofronte mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës.

Në kërkesë e specifikonte se dëshironte shfrytëzimin e karburanteve nga shteti deri në gjetjen e një banese për akomodim, siç thoshte ai deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

Kjo kërkesë e tij ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së me 2 mars 2022.

Mirëpo, asnjëherë publikisht Sadriu nuk tregoi se a gjeti banesë dhe sa gjatë Ministria e Punëve të Jashtme i ka paguar atij për karburante. /Demokracia.com/

Të ngjashme