Lajme
Gërvalla largoi flamurin e UÇK-së nga Konsullata e Kosovës në Nju Jork
Demokracia
17:04 | 18 Qershor 2022

Share:

Në prill të këtij viti, me urdhër të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është larguar flamuri i UÇK nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork. Kryediplomatja, largimin e këtij flamuri nga ambientet e konsullatës e kishte kërkuar edhe në shtator të vitit të kaluar, por  kërkesa e saj ishte refuzuar nga ish-konsulli i përgjithshëm, Frymëzim Isufaj. Me shkarkimin e këtij të fundit, ajo ka realizuar qëllimin e saj

Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit për Kosovën shënon një prej rasteve të rralla që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, përmend UÇK-në dhe mbron luftën e saj. Por, para se të mbante këtë fjalim, në prill të këtij viti, ajo kishte bërë një veprim të pahijshëm në raport me këtë ushtri. Kryediplomatja e Kosovës kishte urdhëruar stafin e konsullatës që ta largojnë flamurin e UÇK-së nga ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Një burim i mirinformuar brenda MPJD-së, i ka thënë gazetës Nacionale, se Gërvalla ka kërkuar largimin e këtij flamuri edhe në shtator të vitit të kaluar, kur kishte vizituar Nju Jorkun për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Por, kërkesa e kryediplomates, sipas burimit të gazetës, ishte refuzua nga ish-konsulli i përgjithshëm i kësaj konsullate, Frymëzim Isufaj.

“Gjatë qëndrimit në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një zyrtar i lartë brenda kabinetit të Gërvallës i ka kërkuar konsullit që të heq flamurin e UÇK-së nga zyra. Mirëpo, ai ka refuzuar ta heq, duke thënë se sa të është në krye të konsullatës nuk do të hiqet ai flamur”, ka thënë burimi për  Nacionalen.

I njëjti burim, ka treguar se kërkesa për largimin e flamurit kishte vazhduar edhe pastaj. Sipas burimit, stafi i kryediplomates nuk ka dhënë ndonjë arsyeje se pse duhet të largohet flamuri.

“Kërkesa për largimin e flamurit është bërë edhe disa herë, por ajo nuk është pranuar. Ndërsa, në prill të këtij viti, kur  Gërvalla ka shkuar në Nju Jork për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka kërkuar sërish largimin e flamurit dhe ai është larguar “, ka thënë burimi.

Gazeta Nacionale ka mësuar se flamujt e UÇK ishin dërguar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vitin 2020 nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Meliza Haradinaj-Stublla.

Dërgimi i këtyre flamujve ishte bërë për ndër të përvjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.

Nacionale ka siguruar foto të ambientit të konsullatës ku janë të vendosur flamujt. Para se të hiqej, flamuri i UÇK-së qëndronte në mes të flamurit të SHBA-së dhe atij të Republikës së Kosovës në zyrën qendrore të konsullatës.

Burimi i gazetës nuk ka dashur të flas nëse refuzimi për largimin e këtij flamuri ka ndikuar në shkarkimin e Frymëzim Isufajt nga posti i konsullit të përgjithshëm në konsullatën e Nju Jorkut.

Më 2 prill, Isufaj kishte njoftuar se është shkarkuar nga pozita e konsullit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte treguar se vendimi për shkarkimin e tij ka qenë arbitrar, jo ligjor dhe tërësisht politik.

Sipas tij, vendimi ka qenë në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme më është kërkuar që brenda 10 ditësh të largohem nga misioni.

“Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit”, kishte shkruar Isufa.

Gazeta Nacionale ka tentuar ta kontaktojë ish-konsullin Isufaj për këtë çështje, por ai ka qenë i pa qasshëm.

Qëndrimet e Gërvallës kundër UÇK-së

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, shpeshherë është kritikuar për qasje përbuzëse ndaj UÇK-së.

Në urimin e saj për Ditën e Çlirimit, më 12 qershor, ajo kishte shprehur nderime për sakrificën e ushtareve të NATO-së, por nuk kishte përmendur fare UÇK-në. “Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm. 12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Gërvalla.

Ky status, ka nxitur reagime të shumta në rrjete sociale, duke e cilësuar atë si politikane anti-UÇK. Sipas reagimeve, mos përmendja e UÇK-së nga Gërvalla tregon për urrejtjen që ajo ka ndaj kësaj ushtrie.

Për shkak të përbuzjes se UÇK-së në këtë ditë ishte kërkuar edhe dorëheqja e saj.

Ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, kishte vlerësuar se anashkalimi i UÇK-së bëhet vetëm nga persona që kanë çrregullime shëndetësore dhe që e urrejnë veten.

“Robëria e gjatë e lind mentalitetin e skllavit, i cili nga disa nuk largohet lehtë. Por sot, 23 vjet pas çlirimit, të mos guxosh apo të anashkalosh UÇK-në në çlirimin dhe lirinë e Kosovës, UÇK-në që në thelb ishte ajka patriotike e popullit shqiptar, duhet të jesh ose abnormal ose të urresh veten”, kishte shkruar në “Facebook” Lushi, i cili ka qenë pjesë e batalionit Atlantiku.

Edhe para se të bëhej ministre, ajo ka pasur kritika të ashpra ndaj UÇK-së. Madje, ishte përfolur edhe si dëshmitare e mundshme e Gjykatës Special ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, por ajo i ka mohuar pretendimet së është dëshmitare e Speciales.

Të ngjashme