Lajme
Gërvalla ia kërkon njohjen Greqisë “LIVE” në konferencë, ministri grek e lë pa përgjigje
Demokracia
17:19 | 20 Janar 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, po qëndron për vizitë në Greqi, ku është takuar me homologun e saj grek, Nikos Dendias. Në një konferencë për media, ajo përmendi njohjen nga ky shtet, megjithatë kryediplomati grek nuk e tha asnjë fjalë për këtë.

Donika Gërvalla – Schwarz për një vit nuk ka arritur që t’ia sigurojë as edhe një njohje të vetme Kosovës. Një gjë të tillë, siç duket nuk po ia del ta bëjë ende, raporton Demokracia.com.

Ajo të enjten në Athinë e ka takuar kryediplomatin grek, Nikos Dendias, të cilit ia ka përmendur edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke marrë parasysh se Greqia është një prej shteteve të Bashkimit Evropian që s’e njeh ende shtetin kosovar si të pavarur.

“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, ka thënë Gërvalla.

Megjithatë, ajo nuk ka marrë një përgjigje nga Dendias për këtë. Ky i fundit në konferencën e përbashkët s’e ka thënë asnjë fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë është publikuar fjalimi i tij i plotë dhe ai ka dhënë përkrahje vetëm për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, aty nuk përmendet askund njohja e Kosovës, duke e lënë kështu pa përgjigje Gërvallën, raporton Demokracia.com.

“E ritheksoj publikisht qëndrimin tonë në favor të liberalizimit të vizave për ju, sepse plotësoni kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes. Prandaj, nëse i keni përmbushur kriteret, duhet të përmbushet edhe premtimi ndaj jush”, ka thënë ai.

Qëndrimi i Athinës zyrtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës dihet, pasi që kjo varet nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dendias në këtë konferencë ka folur edhe rreth dialogut mes dy vendeve, duke ripërsëritur qëndrimin se e përkrahin.

Sa i përket vizitës, Gërvalla-Schwarz do të takohet edhe me ambasadorin amerikan në Greqi, Geifrey Pyatt, në rezidencën e tij.

Demokracia.com ka mësuar se Gërvalla ka shkuar në Greqi edhe me shpresën se do të mund ta takojë edhe Gkioulekas Konstantinos, kryetarin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, nga i cili ende nuk ka marrë përgjigje.

Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në një diskutim të ELIAMEP, institut për Politikën Evropiane dhe të Jashtme.

Gërvalla në fund të ditës do të ketë edhe një takim me komunitet, mësues e gazetarë./Demokracia.com/

Të ngjashme