Lajme
Gërvalla flet për herë të parë për takimin me ministrin palestinez që ia zbuloi Demokracia.com: Jam përpjekur që të thyej pak akullin
Demokracia
12:43 | 10 Maj 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz, ishte takuar me homologun e saj palestinez, Riyad Al-Maliki, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, i cili u mbajt me 11-13 mars. Por, këtë takim Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë.

Demokracia.com kishte raportuar për këtë takim të cilin ministrja Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë.

Por, për takimin me ministrin palestinez AL-Malik Gërvalla ka folur sot për herë të parë. Ajo ka thënë se Kosova ka një qëndrim miqësor karshi tyre dhe se vetë ka provuar ta thyej akullin në krijimin e marrëdhënieve miqësore, por se ata kanë qëndrim miqësor me Serbinë.

“Nuk kemi marrëdhënie dhe nuk kemi marrëveshje me Palestinën. Unë kam pasur një takim me ministrin e tyre të Jashtëm në kuadër të një konference multilaterale dhe në kuadër të këtij takimi jam përpjekur që të thyej pak akullin duke vënë në pah qëndrimin e Kosovës ndaj Palestinës. Qëndrimi ynë është shumë miqësor dhe një qëndrim përkrahës dhe këtë qëndrim qytetarët e Kosovës e kanë shprehur shpesh dhe për të cilin Palestina është e ndërgjegjshme. Por, në të njëjtën kohë kam vënë në pah vështirësitë që kemi me përfaqësuesit dhe ambasadorin palestinez në Beograd, të cilët nganjëherë nuk zgjedhin mjetet dhe nuk zgjedhin gjuhën në raport me Kosovën dhe duke lëvizur drejt marrëdhënieve më të mira me Palestinën, besoj që duhet të ekzistojë interesimi i dyanshëm për të ndryshuar këtë gjendje”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

Demokracia.com kishte raportuar se në takimin mes Gërvallës dhe Al-Malik ishte diskutuar edhe për mbylljen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Siç thuhej në njoftimin për media, gjatë takimit Gërvalla kishte shprehu dëshirën e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shtetit të Palestinës.

Nga ana tjetër, ministri Al-Maliki i tha Gërvallës se Shteti i Palestinës gëzon një marrëdhënie të veçantë me Serbinë, duke shtuar se mundësia e shqyrtimit të ndërtimit të çfarëdo marrëdhënie dypalëshe me Kosovën kushtëzohet me transferimin e Ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi në Tel Aviv. “Pasi prania e ambasadës në Jerusalem është një qëndrim që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, thuhej mes tjerash në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Kujtojmë se Kosova nuk kishe kërkuar asnjëherë më parë njohjen nga Palestina. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Gërvalla diskutoi mbylljen e ambasadës në Jerusalem, nuk e beri publik takimin me kryediplomatin palestinez

Të ngjashme