Lajme
Gërvalla e konfirmon raportimin e Demokracia.com s’e nuk e deklaroi një kompani në anti-korrupsion
Demokracia
23:23 | 15 Shkurt 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka pranuar publikisht se ka bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ajo në ATV e ka konfirmuar raportimin e Demokracia.com se kishte fshehur një biznese dhe pasurinë e burrit.

Ministrja e Qeverisë Kurti II ka një biznes në Gjermani në të cilin mban postin e drejtoreshës ekzekutive, si dhe drejton Fondacionin “Jusuf Gërvalla”. Përveç kësaj, Gërvalla nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, anipse kjo kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.

Skënder Hyseni e Donika Gërvalla bënë vepra penale, por ministrja e Kurtit po “amnistohet”

“Përsëri tek të vërtet alternative. Tek formulari i deklarimit të pasurisë, unë kam ardhur dhe e kam deklaruar atë çfarë kam. Është shumë e vërtetë që aty nuk është përfshirë një kompani e cila ka një vlerë të tërësishme prej 500 euro, kaq janë aksionet që janë aty. Është e vërtetë nuk e kam përfshirë, sepse në atë fazë kam menduar që është diçka që nuk i përket këtij deklarimi të pasurisë. Aty për shembull nuk janë të përfshira edhe të ardhurat, rroga e bashkëshortit tim sepse është një problem kur jeton në dy shtete, ka disa çështje që janë të lidhura me legjislacionin e atij vendi”, ka thënë ajo në ATV. Gërvalla tha se në formularin e deklarimit të pasurisë i ka përfshirë ato që kanë qenë interesante për publikun.

Kujtojmë se për të njëjtën arsye për ish-ministrin Skënder Hyseni, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë.

Ai në cilësinë e ish-koordinatorit shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e kishte deklaruar saktë pasurinë, raporton Demokracia.com.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hyseni gjatë kohës sa e kryente këtë detyrë, nuk e kishte deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, të cilën e posedonte bashkëshortja e tij.

Për këtë ai u akuzua se e ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Edhe ish-ministrja së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ishte akuzuar për mos raportim të pasurisë.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Ëoolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar./ Demokracia.com/

Të ngjashme