Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ), i ka dërguar letër presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Donika Gërvalla, lidhur me disa emërime të stafit diplomatik/konsullor, që sipas tyre, janë emërime të paligjshme.
Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com thuhet se kjo shoqata është e shqetësuar me faktin e emërimeve të fundit të stafit diplomatik/konsullor në misionet e Republikës së Kosovës.
“Shoqata ka vrenjtur dhe e konsideron të papranueshme faktin që me këtë ftesë nuk është kërkuar plotësimi i kriterit të ligjshmërisë së gradave, në këtë kuadër patëm kërkuar me ngulm që të mos merren parasysh gradat e dhëna jashtë komisionit të gradave dhe kandidatët mund të konkurrojnë vetëm për pozitat që kërkohet grada e dhënë në mënyrë të jashtëligjshme. Për fat të keq kërkesa jonë është injoruar në tërësi dhe së fundmi kemi mësuar se janë emëruar në misione diplomatike/konsullore zyrtarë gardat e të cilëve janë marrë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e tyre, përcjell Demokracia.com.
Kjo shoqatë specifikisht ka shprehur shqetësime lidhur me emërimin e Konsullit të Përgjithshëm në Strasburg, Lulzim Hisenit.
Sipas tyre, Hiseni që është emëruar me gardën Ministër Këshilltar, i njëjti është ngritur për dy grada në të njëjtën kohë, siç thonë ata, në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë nga Sekretari i Parë në Ministër Këshilltar.
Po ashtu, në letrën që ka siguruar Demokracia.com kjo shoqatë thotë se Hiseni nuk i ka plotësuar kriteret për të konkurruar dhe emëruar për Konsull të Përgjithshëm, marrë parasysh se ka dy grada të kundërligjshme.
Ata kanë kërkuar nga ministria dhe Qeveria që të rishikohen dhe shfuqizohen të gjitha vendimet e paligjshme dhe të kthehet ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm.
“Sipas njohurive të shoqatës, si Konsull i Përgjithshëm në Strasburg është emëruar z. Lulzim Hiseni, aktualisht më gradë Ministër Këshilltar, i njëjti ishte ngritur për dy grada në të njëjtën kohë, në mënyrë të kundërligjshëm pa kaluar në Komision për Grada dhe Disiplinë nga Sekretari i parë në Ministër Këshilltar. Si rrjedhojë, z. Hiseni nuk ka plotësuar kriteret për të konkurruar dhe emëruar për Konsull të Përgjithshëm, marrë parasysh se ka dy grada të kundërligjshme. Në këtë kuadër e ripërsërisim kërkesën tonë që të rishikohen emërimet e tilla në kundërshtim me kërkesën e shoqatës dhe në pajtim edhe me qëndrimet dhe premtimet e Qeverisë së Kosovës dhe MPJD që të rishikohen dhe shfuqizohen të gjitha vendimet e paligjshme dhe të kthehet ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm. Poashtu, ripërsërisim kërkesën që asnjë dosje/aplikacion të mos kualifikohet dhe të bëhen emërime në misione diplomatike/konsullore pa verifikimin e kritereve të ligjshmërisë së gradave, (kandidati të ketë të drejtë aplikimi të dërgohet vetëm në pozitën që i përshtatet gradës së fituar në mënyrë të ligjshme)”, thuhet në letrën e tyre. /Demokracia.com/