Lajme
Gërmohet për të pagjetur në Burgun e Dubravës
Demokracia
14:42 | 29 Maj 2025

Share:

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë nisur gërmimet brenda hapësirës së Burgut të Dubravës, në kërkim të mbetjeve mortore të një personi të zhdukur gjatë ose pas luftës në Kosovë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, bëri të ditur se hetimet janë ndërmarrë pas identifikimit të një dëshmitari nga Policia e Kosovës, i cili ka ofruar informacione kyçe për një ngjarje që ka ndodhur menjëherë pas përfundimit të luftës.

“Sipas dëshmitarit, një person ishte gjetur në pjesën e malit disa ditë pas luftës. Pa ndihmën e askujt, dëshmitari e kishte varrosur në një lokacion që tani është brenda perimetrit të burgut. Ai na e ka treguar vendin dhe bazuar në dëshminë e tij, janë duke u zhvilluar gërmimet”, ka thënë Morina.

Aktualisht, ekipet e specializuara janë në terren, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të konfirmuar nëse vendi i treguar përmban mbetje të personit të zhdukur.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka thënë se ky është lokacioni i dhjetë që gërmohet sivjet, raporton koha.

“Në momentin e përmirësimit të kushteve të motit do të fillojmë me gërmime në një lokacion në Komunën e Malishevës, për të vazhduar me një rast në Komunën e Prishtinës në kuptim të keqidentifikimit të mundshëm për t’u rikthyer në lokacionin në Obrançë ku janë gjetur mbetjet mortore të një personi apo të një individi minimumi, për të vazhduar pastaj me gërmime në lagjen Arbëria të Prishtinës – ku javë më parë ku janë gjetur në të cilën janë gjetur dhe varrosur mbetjet mortore të tre personave, po ashtu jemi kthyer në Istog në dy lokacione, përkatësisht në varrezat e qytetit të Istogut ku të paktën janë gjetur mbetjet mortore të dy individëve.

Po flas për numrin minimal sepse do të jetë procedura e ekzamimimit që do ta përcaktojë numrin e individëve dhe indentifikimin e personave për të vazhduar pastaj në një lokacion mes komunës së Skenderajt dhe Istogut, përkatësisht në Syriganë dhe një lokacion në Komunën e Zubin Potokut dhe sot jemi rikthyer në lokacionin e Dubravës. Sigurisht që sfidë shqetësuese mbeten lokacionet në territorin e Serbisë, e cila përkundër kërkesave të vazhdueshme nuk është se ka ndonjë datë të caktuar për fillimin e gërmimeve të reja apo lokacioneve ku ne do të vazhdonim gërmimet e ndërprera nga ana e institucioneve të Serbisë”, ka thënë Gara.

Të ngjashme