Lajme
Gazprom mundëson vëllime shtesë gazi për Serbinë
Demokracia
18:48 | 26 Shkurt 2022

Share:

Furnizimi me gaz në Serbi mbetet i qëndrueshëm pasi kompania ruse Gazprom ka siguruar vëllime shtesë gazi, deklaroi zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlovic.

Ajo po fliste në një ceremoni që shënonte fillimin e ndërtimit të një interkonektori të gazit midis Bullgarisë dhe Serbisë.

“Situata energjetike është e qëndrueshme në Serbi, kryesisht falë punës së qeverisë dhe sigurimit të mjeteve të nevojshme. Sigurisht që një pjesë e energjisë elektrike të konsumuar është e importuar dhe do të importohet në ditët në vijim. Vëllimet e gazit shtesë janë siguruar nga kompania Gazprom, kështu që ne kemi mjaftueshëm energji elektrike, gaz dhe energji termike për muajt në vijim”, tha ministrja.

“Ne po jetojmë në një periudhë pandemie dhe në një krizë të madhe energjetike. Nëse nuk do të kishim hapur seksionin tonë të Balkan Stream, më 1 janar 2021, të lidhur me Bullgarinë, për të pasur një burim shtesë gazi, atëherë, këtë dimër, shtëpitë do të kishin mbetur të ftohta dhe ekonomia do të vuante, sepse nuk do të kishte gaz të mjaftueshëm dhe çmimet do të ishin shumë më të larta.

Fakti që e përshpejtuam ndërtimin e Balkan Stream gjatë vitit 2020, duke investuar 1.5 miliardë euro, na ka mundësuar siguri energjetike dhe stabilitet”, tha kryeministrja serbe Ana Brnabic.

Kryeministrja vuri në dukje edhe se Serbia po punon për të diversifikuar burimet e gazit, duke krijuar mundësi për marrjen e gazit natyror të lëngshëm. Brnabic vuri në dukje rëndësinë e një ndërlidhësi midis Bullgarisë dhe Serbisë, i cili do t’i lejonte Serbisë “të merrte gaz të lëngshëm nga Greqia, nga Azerbajxhani dhe nga çdo burim tjetër”.

“Ne po krijojmë një diversifikim të burimeve të gazit, gjë që do të na mundësojë të kemi konkurrencë çmimesh”, tha kryeministrja.

Rreth projektit

Interkonektori i gazit midis Bullgarisë dhe Serbisë parashikohet të jetë gati deri në tetor 2023. Kostoja totale e projektit është 85.5 milionë euro. Burimet e financimit përfshijnë 25 milionë euro kredi nga Banka Europiane e Investimeve, 49.6 milionë euro ndihmë nga fondet e BE-së, 10.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë dhe 600,000 euro nga kompania Srbiyagaz. Kapaciteti i interkonektorit do të jetë 1.8 miliardë metra kub gaz në vit.

Më 1 janar 2021, Gazprom nisi furnizimin me gaz për Serbinë përmes një rruge të re. Gazi transportohet nga Rusia nëpërmjet tubacionit të gazit TurkStream dhe nëpërmjet Turqisë.

Ai më pas lidhet me Serbinë përmes sistemit kombëtar të transmetimit të gazit të Bullgarisë. Gjatësia e seksionit që kalon nëpër territorin serb është 403 km, dhe kapaciteti projektues është 13.9 miliardë metra kub në vit.

Negociatat për furnizimin me gaz

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia do të marrë vëllime shtesë gazi nga Rusia, në janar-shkurt 2022.

“Nga partnerët tanë rusë, do të marrim një sasi më të madhe gazi nga sa ishte parashikuar, duke paguar një çmim më të ulët edhe për këtë sasi shtesë, që nuk ishte diskutuar më parë dhe nuk na nevojitej në vitin 2020 dhe 2021”, tha lideri serb, shkruan Monitor.al.

Vuçiç shtoi se Serbia duhet të blejë çdo ditë nga 2 deri në 5 milionë metra kub gaz. Më 25 nëntor 2021, si rezultat i bisedimeve midis Putin dhe Vuçiç në Sochi, Rusia e mbajti çmimin e gazit për Serbinë në vlerën 270 dollarë, për gjashtë muajt e dimrit. Pas kësaj, Beogradit do t’i ofrohen kushte të favorshme nga Moska me një kontratë afatgjatë. Sipas liderit serb, këto kushte janë shumë të volitshme.

Të ngjashme