Lajme
Gazetarja e parë e Ukrainës në Kosovë, vjen falënderimi nga Kyivi
Demokracia
20:47 | 17 Prill 2022

Share:

Lyudmila Makey është gazetarja e parë ukrainase e cila është strehuar në Kosovë.

Pasditen e së dielës në Kosovë ka arritur Lyudmila Makey, gazetarja ukrainase, shkruan Demokracia.com.

Ajo në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është pritur nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, Flutura Kusari (ECPMF), si dhe përfaqësues të MPB-së e Policisë së Kosovës.

LEXO EDHE: 

Arrin në Kosovë gazetarja e parë nga Ukraina

Gazetares ukrainase i ka bërë pritje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritje kjo e cila u falënderuar edhe nga Unioni Kombëtar i Gazetarëve të Ukrainës, raporton Demokracia.com.

Presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, ka falënderuar publikisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për pritjen dhe strehimin e gazetarëve nga Ukraina, pasi kreu i ekzekutivit kosovar, publikoi pamje nga pritja e gazetares ukrainase në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter.

Sergiy Tomilenko, komentoi mbi postimin e kryeministrit Kurti, duke e falënderuar për strehimin e gazetares, Lyudmila Makey.

“Albin Kurti, nga thellësia e zemrës, faleminderit për mbështetjen e gazetarëve ukrainas”, ka shkruar ai.

“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë. Ky program ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Gazetares Makey në Kosovë pritet t’i bashkohen edhe të tjerë kolegë të saj nga Ukraina dhe për këtë Qeveria e Kosovës është zotuar se do të krijojë kushte të përshtatshme pune dhe jetese për ta. /Demokracia.com/

Të ngjashme