Lajme
Gazetarja e “El Pais”: Për keqardhje largimi i Konsullit Krasniqi, ishte mik i madh i Spanjës
Demokracia
16:20 | 07 Korrik 2022

Share:

Gazetarja e njohur e gazetës prestigjioze të Spanjës, “El Pais”, Maria Antonio Sanchez Vallejo, ka reaguar përmes profilit të saj “Twitter” për largimin arbitrar të Konsullit Lulzim Krasniqi nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork.

Gazetarja spanjolle ka ndjerë keqardhje për largimin e Konsullit Krasniqi, të cilin e ka lavdëruar për thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Spanjës:

“Me keqardhje mësova për largimin nga Nju-Jorku të Konsullit Krasniqi, një mik i madh i Spanjës, që ka bërë shumë në përafrimin e gazetarëve spanjollë me realitetin e vendit të tij. Do të na mungosh!”, ka shkruar ajo në Twitter.

Reagimi i gazetares vjen një ditë pasi Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, znj. Donika Gërvalla, e kishte larguar atë nga puna pa paralajmërim.

Konsulli Krasniqi ishte diplomati i vetëm në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili kishte njohuri të larta të gjuhës dhe kulturës spanjolle dhe të Amerikës Latine.

“Kam qenë diplomati i vetëm në MPJD dhe në Shërbimin Diplomatik që zotëron nivelin më të lartë të spanjishtes (C2), dhe i cili ka njohuri dhe lidhje me Amerikën Latine dhe Spanjën”, kishte theksuar Krasniqi në letrën e tij dërguar Gërvallës.

Konsulli Krasniqi, disa herë ka sjellë në Kosovë gazetarë nga agjencia shtetërore e lajmeve e Spanjës, “EFE”, nga “El Pais”, nga “La Vanguardia” dhe nga gazeta të tjera prestigjioze të Spanjës dhe të Amerikës Latine, ku kishte organizuar intervista me krerët e lartë të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme