Lajme
Gazetari Visar Duriqi u sulmua me grushte nga tre persona të maskuar
Demokracia
10:35 | 25 Shkurt 2021

Share:

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth rrahjes së gazetarit Visar Duriqi.

Mbrëmë pas mesnatës është rrahur gazetari Visar Duriqi nga tre persona të maskuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për Demokracia.com, se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20 në rrugën “Hamdi Gjarqevci” në Fushë Kosovë.

Sipas Borovcit, Duriqi është goditur me grushte dhe ka marrë lëndime trupore ku më pas është trajtuar në QKUK.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka treguar Borovci.

Tutje ai ka thënë se policia është duke hetuar këtë rast dhe e ka cilësuar si lëndim të rëndë trupor.

“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre dhe në koordimin me prokurorin e shtetit po ndërmerr veprimet vijuese hetimore për rastin  lëndim i rëndë trupor”, tregoi tutje Borovci. /Demokracia.com/

Të ngjashme