Lajme
Gazetari kroat: As rrymë nuk ka pasur në “Shtëpinë e Verdhë” deri para pesë vjetësh (Dokument)
Demokracia
21:24 | 14 Mars 2021

Share:

Gazetari Hassan Haidar Diab, i të përditshmes kroate “Vecernji list”, në një shkrim të gjatë për Dhomat e Specializuara ka përshkruar udhëtimin e tij në Burrel, për të gjetur “Shtëpinë e Verdhë”, përshtypjet nga rruga e deklaratat e banorëve të atjeshëm, si dhe vlerësimet e juristëve për Dhomat e Specializuara.

Pasi Zyra e Prokurorisë së Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë, ka ngritur aktakuzë kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe personave tjerë si ish-kryetari tjetër i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ish-shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, partisë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, duke i ngarkuar në 10 pika për një varg krimesh kundër njerëzimit dhe për krime të luftës, gazetari Hassan Haidar Diab thotë se shtrohet pyetja nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron të heq nga skena politike të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që sot mbajnë poste të larta në politikë, ushtri dhe zbulim.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar më 2016 nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare. Shikuar nga aspekti ligjor, ato janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por në të punojnë ekskluzivisht prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë, që të garantohet pavarësi më e madhe. Detyrë e këtij Tribunali është që të hetojë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, torturat dhe përndjekjet që janë bërë nga janari 1998 deri më dhjetor 2000 në Kosovë. Vetë Thaçi e ka nxitur Kuvendin e Kosovës që të votojë për themelimin e kësaj gjykate, sepse ka dashur që çështja e krimeve të luftës të marrë përgjigje”, shkruan Hassan Haidar Diab, transmeton Demokracia.com.

Gazetari i të përditshmes kroate “Vecernji list” përshkruan në detaje të rrugës për në “Shtëpinë e Verdhë”, të cilën e kanë vizituar ekipe nga e tërë bota.

“Me të arritur në Prizren, qytet jo larg kufirit me Shqipërinë, kolegët gazetarë që takova thanë se do të ishte mirë që me ne të jetë edhe një udhëheqës vendor, sepse njerëzit në këtë zonë janë të shqetësuar dhe armiqësorë. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një ambient rural, banorët e të cilin kanë pak kontakt me botën, prandaj mund të jetë rrezik. Nga Prizreni u nisëm për në kufi, që është vetëm 10 kilometra larg. Kontrolle bëjnë vetëm policët dhe doganierët shqiptarë, pasi Kosova dhe Shqipëria kanë një marrëveshje ndërkombëtare. Kukësi është qyteti i parë në Shqipëri pas kufirit, qendër e pjesës verilindore të Shqipërisë, ku gjatë vitit 1999 kanë qëndruar qindra mijëra refugjatë nga Kosova. Nga Kukësi vazhduam autostradës për në zonën e Mirditës, rajon katolik që në kohën e Perandorisë Osmane gëzonte autonomi. Në hyrje të qytetit Rubik na priti udhëheqësi ynë dhe menjëherë na tërhoqi vërejtjen që të mos pyesim shumë, sepse njerëzit janë të ndjeshëm, pasi zona e tyre është bërë ndër zonat me më së shumti nam të keq në botë. U nisëm drejt zonës së Matit, që jep një pamje krejt tjetër të Shqipërisë. Sa më thellë hyjmë, fitohet përshtypja se zona është duke u përgatitur për një film të para 500 vjetëve. Jeta është ndalur. Rruga është katastrofë, e ngushtë, plot kafshë për të cilat nganjëherë duhet të ndalemi e të presim më shumë se 5 minuta, deri sa nuk largohen nga rruga e ne mund të kalojmë. Kjo është rruga kryesore për në Burrel, në qendër të të cilit janë dy përmendore – e Skënderbeut dhe Zogut I. Zona e Matit dhe e Dibrës kanë qenë zona të cilave më së shumti ju ka besuar Skënderbeu, prandaj edhe prej atje e ka nisur kryengritjen kundër Perandorisë Otomane. Qyteti është vetëm 110 km në jugperëndim të Kukësit, por për shkak se rruga është e keqe, na u deshën më shumë se tri orë. Sa më shumë i afroheshim fshatit Ribë, aq më shumë rritej tensioni. Te “Shtëpia e Verdhë” e nxora fotoaparatin dhe menjëherë dëgjova një njeri që duke dalë nga “Shtëpia e Verdhë” na urdhëroi ashpër që të largohemi dhe të mos fotografojmë. Nuk kuptoj shqip, por çdo gjë ishte e qartë. Përnjëherë u shfaqën edhe të tjerë duke bërë me duar, ndërsa udhëheqësi më tha që në rast se dëgjohen të shtëna, të shtrihem në tokë. Nuk mund të ikësh me shpejtësi, sepse rruga është aq shumë me baltë sa që vetura nuk mund të niset aq lehtë. Por, atëherë paraqitet një zotëri i qetë, Bukurosh Fizmani, kushëri i pronarit të “Shtëpisë së Verdhë”, që më tha se kushëriri i tij ka vdekur për shkak të gazetarëve që kanë shkruar gënjeshtra për shtëpinë dhe familjen e tij, prandaj duhet ta kuptoj mllefin e njerëzve”, kështu shkruan për vizitën e tij në Burrel, gazetari i të përditshmes kroate “Vecernji list”.

Ai më pas përshkruan edhe bashkëbisedën me kushëririn e pronarit të “Shtëpisë së Verdhë”.

“ Vijnë, ne u flasim, u tregojmë mirë e mirë të gjithat, e ata shkojnë e shkruajnë të pavërteta dhe gënjeshtra dhe thonë se këtu janë parë kufoma, gjak dhe organe të njerëzve – thotë Fizmani.

Unë kam ardhur nga Kroacia dhe dua të dëgjoj dhe të shkruaj të vërtetën – ia kthej unë.

Çfarë të vërtete pret? Po në fshat deri para pesë vitesh as energji elektrike nuk ka pasur! Si ka mundur të bëhet ato gjëra këtu ato? Çfarë operacionesh e nxjerrje të organeve? Këtë mund ta shkruajnë vetëm të çmendurit dhe të padijshmit. Ju lutem, ja, shikoni edhe vetë, vlerësoni vetë dhe ju lutem shkruani çfarë shihni. Mos gënjeni si të gjithë të tjerët! Kur të shikoni çdo gjë, mund të shkoni të qetë”, më udhëzoi ai.

Gazetari i të përditshmes kroate “Vecernji list”, Hassan Haidar Diab, thotë se “Shtëpia e Verdhë” famëkeqe sot ka ngjyrë të bardhë dhe në të jetojnë anëtarë të familjes Katuçi, që mohojnë se shtëpia e tyre ndonjëherë ka qenë vend ku të burgosurve u janë nxjerrë organe.

“Sipas hetimeve që ka bërë prokuroria serbe për krime lufte, ndërmarrjet kirurgjike në viktimat e trafikimit me organe, përveç në shtëpinë private të adaptuar e të kthyer në spital, respektivisht në “Shtëpinë e Verdhë”, janë bërë edhe në shtëpitë e shëndetit dhe spitalet në të cilat, gjatë luftës, janë trajtuar ushtarët e UÇK-së. Për këtë qëllim, thuhet, është shfrytëzuar edhe një pjesë e spitalit në kazermën “Bajram Curri”, shtëpia e shëndetit në fabrikën e Coca-Cola në Tiranë si dhe ambulanca e neuropsikiatrisë në burgun numër 320 në qytezën Burrel. Prokuroria serbe thotë edhe se ka ekzistuar burgu ilegal në minierën Deva tuneli i së cilës ka dy dalje – një në Kosovë e tjetrin në Shqipëri. Pohon edhe se organet janë shitur nga 25.000 deri në 100.000 marka gjermane, ndërsa njerëzit i kanë kidnapuar ushtarët e Haradinajt dhe i kanë dërguar në llogoret në Shqipëri. Personat kryesor për dërgimin e njerëzve në llogore, thotë prokuroria serbe, ishin vëllai i Haradinajt, Dauti, Sami Lushtaku dhe Jakup Krasniqi”, përfol pretendimet serbe gazetari i të përditshmes kroate “Vecernji list”.

Përndryshe, sipas tij, e para që ka shkruar për dyshimet në lidhje me “Shtëpinë e Verdhë” ishte ish-Kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, dhe atë qysh gjatë luftës më 1999. Në librin e saj autobiografik “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”, vazhdon ai, ka shkruar se nga gazetarët ka mësuar se si rreth 300 serbë dhe jo-shqiptarë të tjerë janë kidnapuar dhe transportuar në Shqipëri ku u janë nxjerrë organet.

Por, koloneli në pension Sokol Poga, ish-anëtar i shërbimit informativ shqiptar (SHISH), i cili ishte përgjegjës për koordinim në këtë zonë dhe me të cilin biseduam në Burrel, thotë se raporti që ka shkruar Dick Marty në fakt është shkruar nga shërbimi informativ serb BIA, ndërsa Marty vetëm e ka përkthyer.

“Ne këtë dokument e kemi marrë nga miqtë tonë e të cilët e kanë marrë nga shërbimi informativ serb. Kjo zonë ka qenë zonë ushtarake, sepse këtu janë përgatitur pjesëtarët e UÇK-së në bashkëpunim me CIA-n, MI6 britanik dhe BND-në gjermane, por edhe shërbimet tjera perëndimore. Të gjithë këta mund t’ua konfirmojnë këtë. Këto shërbime kanë qenë të përfshira në themelimin e UÇK-së, që të mos përsëritej skenari nga BeH, ku shkuan qindra radikalë islamikë dhe pjesëtarë të Al-Qaeda-s dhe të grupeve tjera militante ekstremiste. Shumica e shqiptarëve janë myslimanë dhe në këtë terroristët panë një mundësi për ta. Me siguri mund t’ju them se me angazhim të përbashkët dhe me bashkëpunim kemi arritur që të pengojmë integrimin e radikalëve islamistë dhe të terroristëve në radhët e UÇK-së. Do t’ua zbuloj një sekret. Kemi parandaluar katër sulme terroriste në Beograd. Kjo pasi disa pjesëtarë të UÇK-së që ishin më radikalë, donin të bënin këtë. Gjithashtu, kemi penguar ardhjen e parave nga Arabia Saudite, nga Irani dhe nga vendet tjera arabo-islamike, sepse nuk kemi dashur që këta pastaj të kenë çfarëdo ndikimi në UÇK. E fjalët për trafikim me organe? Këto janë tregime për fëmijë. A e dini se tërë kohën kjo zonë ka qenë nën mbikëqyrjen e NATO-s? Edhe nga ajri, edhe nga toka, por edhe me satelitë. Asnjë helikopter nuk ka fluturuar pa lejen e NATO-s. Këtë mund t’ua them me siguri si agjent i zbulimit që ka operuar në këtë anë. Sa u përket krimeve të luftës, ka në secilën luftë. Por, këto i kanë kryer individë e jo kreu i UÇK-së. UÇK nuk ishte ushtri e rregullt, ata ishin guerilë. Vjen njeriu në fshatin e tij dhe sheh se i është djegur shtëpia dhe i janë vrarë prindërit. SI do të reagojë ai? Me hakmarrje! Për këtë nuk mund të japin përgjegjësi as Hashim Thaçi, as Kadi Veseli, as Ramush Haradinaj. Këtë që po ua them e dinë edhe në NATO edhe në BE, por Gjykata Speciale është politike. Në këtë mënyrë dëshirojnë të inkriminojnë luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri. Serbët edhe në Kroaci edhe në BeH kanë arritur viktimat t’i bëjnë agresorë dhe kriminelë e këtë po provojnë ta bëjnë edhe në Kosovë”, ka thënë koloneli i pensionuar Poga, transmeton Demokracia.com.

Në dokumentet e shërbimit të informimit të Shqipërisë (SHISH) që i posedon “Večernji list”, ndër të tjera, thuhet: “Shërbimi sekret serb, nëpërmjet Vladimir Božović dhe prokurorit për krime të luftës në Serbi, Vladimir Vukičević, i ka dorëzuar ambasadorit të Serbisë në Zvicër, Milan Protić, këtë datotekë me 27 mijë faqe me aktakuza të rrejshme dhe manipulime kundër UÇK-së, e datoteka mandej i është dorëzuar senatorit Dick Marty”. Siç dihet, senatori Dick Marty, që ishte kundër bombardimeve të Serbisë nga NATO, një muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës hapur është pozicionuar kundër ministrit të punëve të jashtme të Zvicrës dhe ka kërkuar që të përkrahet Serbia dhe që Kosova të mbetet nën juridiksionin e saj.

Gjithashtu, vazhdon rrëfimin e tij gazetari i të përditshmes kroate “Vecernji list”, kryeprokurorja Carla del Ponte, më 11 prill 2008, tre muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka botuar librin e saj famëkeq “Unë dhe kriminelët e luftës” me insinuatat e saj skandaloze. Këta dy anti-shqiptarë të njohur nuk kanë bërë asgjë përveç se thjeshtë të përkthejnë dokumentet e marra nga serbët… Tani lufta juridike është përqendruar në “krimet e UÇK-së” dhe “shtëpinë e verdhë” ku, sipas aktakuzave të shpifura, janë kryer transplantime dhe tregti me organet e serbëve të kidnapuar. Në vitet 2000, 2002 dhe 2004 hetime kanë bërë hetuesit e Gjykatës së Hagës dhe të institucioneve të BE-së, si dhe ekspertë të forenzikës të njohur ndërkombëtarisht. Të gjitha këto hetime, nga UNMIK-u më 2000 e deri te EULEX-i më 2009, kanë konkluduar se në “Shtëpinë e Verdhë” nuk ka ndodhur asgjë.

“Ajo që duhet theksuar e që ka lidhje me këtë rast është se nga 1998 e deri më 1999, të gjitha aeroportet dhe portet detare të Shqipërisë, me vendim të nomenklaturave gjegjëse, janë vënë në dispozicion të NATO-s. Pra, kontrollin mbi këto pika të rëndësishme të tranzitit i ka kryer kryesisht NATO. Nuk është lehtë t’i ikësh kontrollit të tyre dhe të bësh tregti me çfarëdo. Duhet theksuar edhe faktin tjetër se në Burrel, jo larg “shtëpisë së verdhë”, janë dislokuar dhe trajnuar ushtarët e Brigadës së Atlantikut. Duhet shtuar edhe se të gjithë personat që janë të akuzuar sot, por edhe persona tjerë që kanë marrë pjesë në organizimin e luftës dhe që kanë qenë në vendin tonë, kanë qenë në kontakt me CIA-n amerikane (e më vonë edhe me shërbimet angleze e gjermane)”, shkruan gazetari i të përditshmes kroate “Vecernji list”.

Ndërsa, avokati i njohur kosovar Artan Qerkini, që ka përfaqësuar shumë të akuzuar për krime lufte, ndër të cilët edhe ish-gjeneralin kroat Agim Çeku, për “Vecernji list” është shprehur i bindur se Gjykata Speciale është politike.

“Mendoj se Gjykata ka rënë në provim për shkak se ka konstatuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët nuk mund të mbrohen në liri, sepse ekziston rreziku që këta të ikin e të fshihen. Nuk pajtohem me këtë, sepse Thaçi ka ditur për aktakuzën qysh në qershor të vitit të kaluar dhe nuk ka ikur, por vullnetarisht është dorëzuar në Hagë në nëntor të vitit të kaluar. Si avokat me përvojë që kam mbrojtur shumë të akuzuar për krime lufte, jam i bindur se kjo gjykatë është politike dhe se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të barazojë viktimën dhe agresorin. Këtë e kemi parë në rastin e Kroacisë dhe të BeH e tani po e shohim në rastin e Kosovës. Qëllimi është që Presidenti Thaçi, i cili e ka shpallur shtetin e pavarur të Kosovës, të dënohet për krime lufte e me këtë Kosova të shpallet krijesë kriminale”, citohet të ketë thënë avokati Qerkini. /Demokracia.com/

Të ngjashme