Lajme
Gazetari izraelit i apasionuar pas targave shqiptare: Shqiptarët hapën dyert për hebrenjtë
Demokracia
17:52 | 20 Janar 2023

Share:

Gazetari izraelit Larry Luxner është shumë i apasionuar pas koleksionimit të targave nga vende të ndryshme të botës. Në koleksionin e tij, ka targa që i përkasin Shqipërisë. Në një intervistë për “Ballkan Update”, ai përshkroi përjetimet e udhëtimeve në Shqipëri ndër vite dhe pasionin për targat shqiptare.

Gjatë intervistës me gazetaren Linda Karadaku, ai tregoi se e vizitoi për herë të parë Shqipërinë kur sapo kishte dalë nga komunizmi. “Vizita ime e parë ishte në vitet ’90 kur Shqipëria ishte hapur dhe si një reporter doja të merrja disa targa makinash. U riktheva sërish dhe pata mundësi që të merrja më shumë targa”.

“Shqipëria është një vend normal tashmë. Ishte hera e parë që vija në një vend të tillë dhe tani është thjesht një vend evropian dhe mendoj se njerëzit janë të dashur. Është një nga vendet e mia të preferuara në botë. Izraeli ka qenë një vend i ndaluar në regjimin e Enver hoxhës dhe ka ndryshuar 180 gradë.

Mendoj se Shqipëria është një ndër vendet proizraelite.”, theksoi ai. Mes të tjerash, ai foli dhe për ndihmën e shqiptarëve ndaj hebrenjve teksa u shpreh se nuk hapën vetëm dyert por gjithashtu rrezikuan jetën për ta. “Shqipëria është një vend i vogël, vend miqësor dhe të orientuar nga familja.

Një vend me përqindje të lartë myslimanësh. Ka bërë shumë për hebrenjtë, një ndër vendet në Evropë që ka ndihmuar dhe askush nuk e thotë këtë.”, tha ai duke shtuar më tej: Shqipëria bëri më tepër se të hapte dyert për hebrenjtë. Rrezikuan jetën që të shpëtonin hebrenjtë dhe normalisht ne do ta kujtojmë këtë gjë.” /abcnews.al

Të ngjashme