Lajme
Gazetari i njohur gjerman publikon dokumente: Rugova nuk e ka kundërshtuar ndarjen e veriut të Kosovës
Demokracia
14:48 | 03 Shkurt 2022

Share:

Korrespodenti i të përditshmes gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka zbuluar detaje nga raporti i një diplomati gjerman lidhur me ish-presidentin Ibrahim Rugova, për të cilin deklaronte se nuk ka pasur asnjë kundërshtim thelbësor për ndarjen e veriut të Kosovës.

Këto detaje Martens i ka publikuar në llogarinë e tij në Twitter, të cilave ua ka bashkëngjitur edhe disa dokumente ku flitej kryesisht për shpërbërjen e Jugosllavisë, përcjell Demokracia.com.

“Nëse Jugosllavia shpërbëhej plotësisht, Rugova kërkonte “një shtet të pavarur shqiptar”. Sipas raportit të diplomatit gjerman, Rugova nuk kishte asnjë kundërshtim thelbësor për ndarjen e veriut të Kosovës me Serbinë”, thuhej në këtë raport.

Sipas Martens, diplomati gjerman raportonte se Rugova u tregua “fleksibil” për ndarjen e mundshme të Kosovës, por theksonte se vetëm Leposaviqi ishte komunë me shumicë serbe, përcjell Demokracia.com.

“Diplomati citon gjithashtu Rugovën të ketë thënë se “ekstraterritorialiteti për manastiret serbe” dhe të drejtat për pakicat sigurisht që do të jepen në një Kosovë të pavarur”, ka shkruar Martens në Twitter.

Sipas korrespodentit, diplomati gjerman kishte përshtypjen se shumica e bashkëbiseduesve të tij në Prishtinë e konsideronin “të dëshirueshëm” bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, “me gjithë vështirësitë ekonomike” që kishte Shqipëria në atë kohë”./Demokracia.com/

Të ngjashme