Lajme
Gazetari Ahmeti: Marshet nuk kërkojnë zhbërje të Gjykatës, vetëm drejtësi të shpejt e jo të vonuar
Demokracia
18:27 | 31 Mars 2023

Share:

Gazetari kosovar, Arben Ahmeti, ka thënë se në tri marshimet që pritet të bëhen në Prishtinë, Nju Jork dhe Hagë më 2 prill për solidarizimin me ish-krerët e UÇK-së, do të kërkojnë drejtësi të shpejtë dhe jo të vonuar.

Ahmeti, në podcastin ‘10×10’ ka listuar disa nga arsyet pse të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe më gjer duhet të marrin pjesë në “Marshojmë për Drejtësi”, që pritet të mbahet më 2 prill, shkruan Demokracia.com.

“E nisim me argumentin e parë, që ka të bëjë me paraburgimin. Vetë kryetarja e Gjykatës, Trendafilova, në një intervistë që kishte pasur para se të fillonte procesi, kishte thënë se nuk mund të ketë më shumë se një vit paraburgim për asnjë për të arrestuarit. Ka dy vite e gjysmë që janë në paraburgim dhe tek pas dy vite e gjysmë fillon gjykimi, i cili do të tregojë më poshtë që parashikohet të jetë shumë i gjatë”, ka thënë ai.

“Mbi të gjitha, gjithçka që ka shkuar me vonesë në këtë proces. Prej momentit kur Williamson kishte bërë raportin e tij, kishte thënë që kemi një aktakuzë, por nuk ka trafikim organesh. Kemi një aktakuzë të ngjashme. Kishin filluar përpjekje për t’u bërë Gjykata. U prit disa vjet deri sa erdhi tek një njoftim se do të ketë aktakuzë. U prit disa muaj derisa u bë aktakuza. Thaçi po fluturonte për në SHBA kur doli njoftimi se do të ketë aktakuzë. Këtu në fakt bie argumenti kryesor i mos-lirimit të tyre nga paraburgimi”, vijon Ahmeti.

Ai ka treguar një përvojë të tij për mos-pranimin e dokumenteve në gjuhën shqipe nga ana e Gjykatës Speciale.

“Gjykata është e Kosovës. Por, shpeshherë ka problem me pranimin e dokumenteve në gjuhën shqipe. E kam provuar edhe vetë; kërkesën për vizitë në gjuhën shqipe nuk e kanë parë si legjitime. Ndërkohë, gjykata refuzon të tregojë se cilat prova vijnë nga Prokuroria e Serbisë. Pra, provat, dëshmitë, deklaratat e ndryshme e Prokurorisë së Serbisë trajtohen si gjetje të hetimeve, që për mua natyrisht është e çuditshme”, ka thënë ai.

“Një detaj tjetër që është shumë i rëndësishëm që prokurorët, gjykatësit, të gjithë funksionojnë brenda një hapësire të vetme të Dhomave të Specializuara. Kjo tregon se ty do të fillojë hetimi në një zyrë të caktuar dhe i gjithë cikli i drejtësisë do të vendoset brenda një qarku të mbyllur pa ndonjë mekanizëm shtesë të kontrollit dhe sidomos presionit nga jashtë”, ka thënë ndër të tjera gazetari Ahmeti. /Demokracia.com/

Të ngjashme