Lajme
Gazetarët target në Veri, Vuçiq i legjitimon sulmet
Demokracia
16:40 | 19 Qershor 2023

Share:

Tension në veri, gazetarët shkojnë atje. Dhunë në veri, gazetarët sërish shkojnë atje. Dhe për tri javë, punonjësit e mediave janë ata që pësuan pothuajse përditë me dhunën ndaj tyre që kulmoi të premten. Tri ditët e fundit u arrestuan tre serbë për këto raste. Ndërsa SHBA-ja i dënoi sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i legjitimoi ato, duke thënë se gazetarët provokojnë meqë shkojnë në veri dhe që serbët “s’kanë faj” edhe nëse i gjuajnë me gurë.

Situata në veri u tensionua edhe një herë. Kësaj radhe deri në dhunë. Dhe përveç një sulmi të disa serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarët ishin cak i sulmeve dhe i dhunës për tri javë me radhë.

Për tri javë janë regjistruar 30 raste të sulmeve kundër punonjësve të mediave, që guxuan të shkonin në veri për të treguar se çfarë po ndodhte, pothuajse të pambrojtur nga Policia dhe KFOR-i.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me situatën që gjenden kolegët tanë që raportojnë nga komuna, andaj kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin hapa që të krijojnë një ambient të sigurt për raportim nga ajo zonë. Njëherësh, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve, që të kenë kujdes të shtuar dhe në asnjë formë të mos rrezikojnë vetën për hir të raportimit”, tha AGK-ja në një reagim të premten e javës që shkoi, duke publikuar të dhënat për sulmet ndaj mediave në veri që nga 26 maji.

Pamjet që u publikuan të premten, të momenteve kur persona të maskuar i sulmuan gazetarët e punonjësit e tjerë të mediave në Leposaviq, ishin dramatike. Disa gazetarë u lënduan.

Policia njoftoi atë ditë se gazetarët kishin marrë lëndime të ndryshme trupore, si dhe kishin pranuar tretman mjekësor.
“Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular”, u tha në njoftim.

PK tha gjithashtu se “sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se ekipet e gazetarëve nga Kosova “kanë qenë cak i një sulmit brutal” nga protestuesit në Leposaviq, derisa ata po kryenin punën e tyre të premten.

Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi mori lëndime të rënda në kokë e trup, dhe iu thye kamera. Ekipet e disa mediave u sulmuan me gurë. Lëndime mori edhe kameramani i Tëvë1, Albin Rrahmani ndërsa krahu iu thye gazetarit të Arbresh.info, Pleurat Salihu. Ndërkaq gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, u sulmua me gurë në kokë.

Disa prej këtyre punonjësve të mediave, të dielën i priti në zyrë kryeministri Albin Kurti, i cili tha se është i bindur që “sulmi ndaj ekipeve të medieve të premten ishte i organizuar dhe me qëllim të qartë: frikësim dhe zmbrapsje”.

Tri ditët e fundit, Policia i ka arrestuar tre persona për sulmet ndaj gazetarëve

“Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë”, tha përmes Facebook-ut ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

SHBA i dënon sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i ka dënuar sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të vendit.

“Dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe sot. Ne përsërisim thirrjen tonë që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”, thuhet në një postim të kësaj ambasade në Twitter të premtën, ditën kur numri i rasteve të sulmeve ndaj punonjësve të mediave shkoi në brenda ditës.

Vuçiq i legjitimon sulmet: Gazetarët provokojnë, serbët s’kanë faj edhe nëse gjuajnë me gurë

Personat që Policia e Kosovës i arrestoi për sulmet ndaj gazetarëve, i mori shpejt në mbrojtje presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha të dielën në një konferencë për media në Beograd se institucionet e Kosovës “i sjellin një tufë gazetarëve të tyre për të provokuar edhe më shumë njerëzit atje”.

“E dini pse u arrestua? Sepse guxoi t’i thoshte gazetarit të preferuar të Albin Kurtit – ‘të lutem hiqe telefonin dhe kamerën, pse po filmon?’. Nuk i preku. Për këtë arsye u arrestua dhe për këtë arsye u ndalua”, tha ai për njërin nga të prangosurit.

Vuçiq tha se nuk është e vërtetë as që një tjetër i arrestuar i gjuajti me gurë gazetarët.

“N.V. nuk ka hedhur as një gur dhe nëse ka hedhur, ju e keni fajin, por ai nuk e ka bërë”, tha Vuçiq.

Të ngjashme