Lajme
Gazeta britanike citon Thaçin në Hagë: Nuk ka drejtësi kur ndiqen të pafajshmit
Demokracia
11:29 | 10 Prill 2023

Share:

Fjalët e ish-presidentit Hashim Thaçi në seancën publike në Hagë se është i pafajshëm dhe se kjo do të vërtetohet sikurse akuzat e pavërteta për “Shtëpinë e Verdhë”, kanë bërë jehonë në mediat e huaja.

Ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, insistoi se ai është një njeri i pafajshëm teksa iu drejtua një paneli gjyqtarësh ndërkombëtarë që dëgjonin gjykimin e nisur ndaj tij, shkruan e përditshmja britanike “The Independent“.

Në fund të deklaratës hyrëse të avokatëve të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Thaçi u ngrit në këmbë, e mbërtheu xhaketën e kostumit të tij gri me vija dhe u tha gjykatësve me rroba të zeza se ai pret që provat të çojnë në lirimin e tij, duke thënë se “viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen”, shkruan gazeta londineze, gazetari i të cilës, Mike Corder, ka ndjekur në gjykatë fillimin e gjyqit ndaj Thaçit dhe tre krerëve tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Thaçi ishte një student që erdhi nga mërgimi politik në Zvicër për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi nga Serbia. Ai u pranua nga liderët perëndimorë, të cilët e ftuan atë në bisedimet e paqes në Francë të vitit 1999 në rolin e tij si drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shihej si një lider që mund ta drejtonte vendin drejt pavarësisë, shkruan tutje “The Independent”.

Ish-presidenti Thaçi tha se i vjen keq që Sekretarja e ndjerë e Departmentit amerikan, Madeleine Albright dhe diplomatë të tjerë ndërkombëtarë që kanë vdekur në gati çerek shekulli që nga lufta, nuk mund të flisnin në emër të tij në procesin në Hagë.

“Ata do të kishin dëshmuar për mua për atë që kam thënë dhe çfarë kam bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e Kosovës”, tha ai. “Jam i lumtur që shumë të tjerë si ata do të dëshmojnë pafajësinë time”, citohet Thaçi.

“Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza,” tha Thaçi. “Megjithatë, unë jam i gatshëm të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim dhe vendin tim”, gazeta britanike përcjellë fjalët e ish-presidentit Thaçi drejtuar gjykatësve ndërkombëtarë.

Avokati mbrojtës Gregory Kehoe u tha gjykatësve se Thaçi nuk kishte “komandë dhe kontroll efektiv” mbi UÇK-në.

Deklarata hyrëse e avokatit Kehoe kishte për qëllim të kundërshtonte pohimet e prokurorëve në ditën e hapjes së gjyqit se Thaçi dhe tre të pandehurit e tjerë, të cilët ishin të gjithë anëtarë të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Shumica e 13,000 njerëzve që vdiqën në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë ishin shqiptarë. Një fushatë 78-ditore e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe iu dha fund luftimeve. Rreth 1 milion shqiptarë kosovarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre”, shkruan “The Independent”.

Gjyqi ndaj Thaqit dhe krerëve tjerë të UÇK-së shkaktoi një demonstratë të madhe në Kosovë, në mbështetje të katër të pandehurve dhe një tjetër protestë në Hagë nga qindra kosovarë që valëvitën flamuj dhe pankarta, duke përfshirë një ku shkruante: “UÇK luftoi për liri”, raportoi gazeta britanike. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme