Lajme
Gati një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria s’tregon pse nuk ka ende aktakuzë ndaj Naim Murselit
Demokracia
14:43 | 01 Nëntor 2024

Share:

Më 29 nëntor të vitit 2023, Kosova u trondit nga një vrasje makabre që ndodhi në Prishtinë. Viktimë  ishte një grua, nënë e dy fëmijëve e cila më pas u identifikua që ishte Liridona Ademaj.

Liridona Ademaj u vra me një plumb në qafë në një zonë të fshehët në fshatin Sinidoll të Prishtinës, aty ku ishte organizuar vrasje makabre.

30 vjeçarja u qëllua derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, i cili më pas rezultoi se ai ishte i përfshirë në vrasjen e saj, duke ngritur kurth për të dhe duke paguar njerëz për ta vrarë Liridona Ademajn, gruan e tij me të cilën kishte 12 vite i martuar, shkruan Reporteri.

Ndonëse po bëhen gati një vit nga vrasja që tronditi gjithë vendin, Prokuroria Themelore e Prishtinës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarit tjerë, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim që nga koha kur ka ndodhur vrasja. Tre të dyshuarit po mbahen në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Madje, gati një vit pas krimit makabër që tronditi Kosovën, nga Prokuroria e Shtetit nuk kanë dashur as të flasin lidhur me ngritjen e aktakuzës.

Gazeta online Reporteri.net ka disa ditë që ka dërguar pyetje lidhur me mosngritjen e aktakuzës, por Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, përkundër se mediumi ua ka rikujtuar pyetjet.

Ndërkohë, javën që shkoi Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Tre të dyshuarve, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 24 dhjetor 2024.

“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, tha Gashi.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Për rastin, më 9 dhjetor 2023, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit, ishte arrestuar edhe një person i katërt, të cilit më 11 dhjetor 2023 i ishte caktuar masa e paraburgimit. Por, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

Edhe pse për pak javë bëhen një vit nga vrasja, ende nuk dihen motivet e sakta se pse ka ndodhur vrasja e Liridona Ademajt e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D..

Liridona Ademaj pas vetës ka lënë dy djem, vrasja e saj kishte nxitur reagime të ashpra në shoqëri.

Naim Murseli, ndryshe ishte figurë e njohur në Kosovë. Ai për një kohë kishte punuar si këshilltar politik i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli dhe konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të biznesmenit.

Dosja e Prokurorisë

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt, pretendon Prokuroria në dosjen e saj.

Sipas dosjes, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas dosjes, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli. Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Të ngjashme
Lajme • 08 Dhjetor 2024