Lajme
Gati 2 vite në burgjet serbe, caktohet seanca e radhës ndaj Nezir Mehmetajt – MPJD thotë se vizitohet vazhdimisht
Demokracia
20:51 | 10 Tetor 2022

Share:

Në shumë raste, kosovarët janë rrezikuar gjatë kalimit të kufijve në Serbi.

Shpesh herë pa arsye, të njëjtit janë ndaluar e dërguar në qendrat e burgut në Serbi.

I ngjashëm ishte rasti me qytetarin e Kosovës, Nezir Mehmetaj.

Që nga janari i vitit 2020, Nezir Mehmetaj është arrestuar nga serbët në pikën kufitare në Serbi, e të njëjtit i janë ndërruar disa burgje.

Prej disa vitesh tashmë, Mehmetaj vazhdon të jetë i burgosur në Serbi.

Lidhur me këtë, lajmi.net, ka kontaktuar ministrinë e Punëve të Jashtme, nga ku është thënë se ndaj Mehmetajt është iniciuar akuzë për kinse krime luftë kundër popullsisë jo-shqiptare, nën pretekstin se ishte i përfshirë në zhdukjen e një familje serbe, në fshatin Rudicë.

Kurse në mars të viti 2021, Gjykata e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ka ngritur aktakuzë kundër Mehmetajt, me pretekstin e përfshirjes së tij në zhdukjen e familjes serbe.

“Nezir Mehmetaj, shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar nga autoritetet serbe, në pikën kufitare në Merdare, më 3 Janar 2020. Ndaj tij është iniciuar akuzë për krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare, nën pretekstin që ka qenë i përfshirë në – sipas akuzës – zhdukjen e një familjeje serbe, në fshatin Rudicë (nga është edhe Mehmetaj), në qershor të vitit 1999. Në mars 2021, Gjykata e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ka ngritur aktakuzë kundër Nezir Mehmetaj me pretekstin e përfshirjes së tij në zhdukjen e familjes serbe në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës, në qershor të vitit 1999. Po këtë muaj, ka filluar edhe procesi gjyqësor kundër Mehmetaj, në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës në Beograd”,thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Po ashtu u tha se ky proces gjyqësor është duke vazhduar edhe tani, ku seanca e fundit gjyqësore është mbajtur më 14 shtator 2022, ndërsa, seanca e radhës është caktuar për datën 14 tetor 2022.

Të pyetur se çfarë saktësisht është bërë nga autoritetet kosovare në lidhje me çështjen e Nezir Mehmetajt, nga MPJD u tha se Misioni i Posaçëm i Kosovës në Beograd, e ka monitoruar procesin e gjykimit të Mehmetaj rregullisht, duke marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në secilën seancë gjyqësore.

“Rrjedhimisht, misioni i Posaçëm në Beograd i ka mbajtur të informuar misionet diplomatike të akredituara në Beograd, lidhur me rastin e Mehmetaj, duke e potencuar faktin se ky gjykim është plotësisht i padrejtë dhe në kundërshtim me normat themelore të së drejtës ndërkombëtare, pasi rasti në fjalë nuk ndërlidhet me asgjë me Serbinë, pasi e para, Nezir Mehmetaj është shtetas i Republikës së Kosovës (e jo i Serbisë); e dyta, pjesëtarët e familjes se zhdukur për të cilën akuzohet Mehmetaj, janë/kanë qenë shtetas të Republikës së Kosovës (e jo të Serbisë); dhe e treta, rasti i supozuar ndërlidhet me territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht, në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës (e jo në Serbi),”,theksohet tutje në përgjigjen e ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas MPJD-së, në lidhje me këtë Misioni i Posaçëm në Beograd raporton rregullisht për rrjedhën e procesit gjyqësor kundër Mehmetaj në MPJD dhe është ne komunikim të rregullt edhe me familjarët e tij.

“Procesi gjyqësor kundër Mehmetaj është duke vazhduar, nuk mund të parashikohet se sa do të zgjasë ky proces, si dhe nëse gjykata do ta shpall fajtor apo do ta lirojë Mehmetaj nga akuza”,thuhet tutje.

Sipas MPJD-së, Nezir Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror të Beogradit ku po vizitohet rregullisht nga diplomatët e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Beograd.

“Nezir Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’) të Beogradit. Diplomatet e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Beograd, e vizitojnë rregullisht Mehmetaj në burgun ku po mbahet. Deri tani janë realizuar mbi 33 vizita te tilla”,thuhet nga MPJD.

Duhet përkujtuar që janë të shumtë qytetarët e Kosovës të cilët janë ndaluar dhe mbajtur në burgjet e Serbisë. Kësisoj lidhur me këtë situatë në të shumtën e rasteve edhe nga autoritetet e huaja është kërkuar që Serbia të ndryshojë këtë retorikë, e mos bëjë arrestime të tilla të cilat përpos që provokojnë situatën, por edhe e kthejnë dialogun në mes dy vendeve në pika të shtjellura, e të parespektuara nga ana e serbëve.

Të ngjashme