Lajme
Gashi – Haxhiut: Në këtë Kuvend vetë ju i keni quajtur njerëzit kriminelë
Demokracia
11:31 | 28 Prill 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, tha se ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, nuk mund të hetohet as nga Sllovenia e as nga Kroacia në lidhje me skandalin financiar në të cilin është implikuar.

Duke iu përgjigjur Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Gashi theksoi se ambasadori ka imunitet diplomatik.

“Po thotë se Kroacia dhe Sllovenia do ta hetojnë. As Sllovenia, as Kroacia nuk munden me e hetu Martin Berishajn. Martin Berishaj ka imunitet diplomatik”, tha ai.

Gashi theksoi se vetë Haxhiu dhe anëtarë tjerë të partisë në pushtet i kishin quajtur kriminelë njerëzit nga Kuvendi.

“Po më pëlqen modernizimi i zonjës Haxhiu, e cila po thotë ta presim drejtësinë, por po harron në të njëjtën kohë se në këtë Kuvend vetë ajo dhe shumë të tjerë i kanë quajtur njerëzit kriminelë, pa fakte. Familjarët e tyre, fëmijët e tyre, gratë e tyre, dajtë e tyre, tezet e tyre, krejt i kanë quajtur kriminelë”, tha Gashi.

“Por, mirë, shumë mirë. E përgëzoj për këtë avancim”, shtoi ai.

Gashi shtroi disa pyetje për verifikimin e sigurisë për Martin Berishajn.

“Para se me e marrë shtetësinë e Kosovës, AKI-ja a e ka dhënë mendimin e tij për këtë person”, pyeti ai, duke shtuar “A e ka marrë certifikatën e sigurisë?”. /Demokracia.com/

Të ngjashme