Sport
Gary Neville këshillon Arsenalin për të transferuar tre futbollistë
Demokracia
13:55 | 13 Maj 2025

Share:

Gary Neville ka deklaruar se Arsenali duhet të nënshkruajë me të paktën tre lojtarë gjatë verës, dy sulmues dhe një mesfushor qendror.

Sipas legjendës angleze, Topçinjtë kanë nevoja të qarta për përforcime në fazën sulmuese dhe në ndërtimin nga mbrojtja.

“Jam i kënaqur që Arteta pranoi të premten se Arsenali ka bërë hapa prapa në Ligën Premier. Ata na mashtruan pak muajin e fundit me paraqitjet në Ligën e Kampionëve, por në ligë kanë qenë shumë larg nivelit të duhur”, deklaroi Neville.

Neville shtoi se Arsenali është 13-14 pikë larg nga Liverpooli dhe po aq larg nga vendi ku ishte sezonin e kaluar, gjë që tregon një rënie të dukshme në performancë. Ai theksoi se kjo nuk mund të fshihet më pas rezultateve të mira në Europë.

Për sa i përket mesfushës, Neville vuri në dukje mungesën e një lojtari që merr kontrollin e lojës nga prapavija. “Thomas Partey nuk është i përshtatshëm për këtë rol, ndërsa Declan Rice u pa qartë kundër PSG-së se nuk është tipi i duhur për ndërtim nga mbrapa”.

Ai përmendi Martin Zubimendin si një zgjidhje të mundshme për këtë problem. Mesfushori i Real Sociedad po përflitet si objektiv i Arsenalit dhe pritet të jetë një nga përforcimet kryesore të verës.

“Dy sulmues dhe një mesfushor janë absolutisht të domosdoshëm. Në fazën sulmuese janë shumë të dobët dhe mungesa e thellësisë në atë repart po i penalizon”.

“Është absurde që në shtatë vite kanë nënshkruar vetëm një sulmues. Arsenali ka shpenzuar 750 milionë funte dhe ende nuk ka ndërtuar një repart sulmues serioz”, tha Neville.

Në përfundim, Neville shtoi se faji nuk është vetëm i drejtuesve: “Edhe vetë Arteta duhet të mbajë përgjegjësi që nuk ka kërkuar më shumë nga bordi. Është koha që Arsenali të veprojë në mënyrë të vendosur këtë verë”, përfundoi legjenda angleze.

Të ngjashme