Lajme
Garë kalamajsh| Osmani e Kurti nuk dolën me komunikatë të përbashkët, por u shtynë cili po njofton më shpejtë
Demokracia
14:38 | 27 Korrik 2022

Share:

Një garë e pakuptimtë mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti është zhvilluar të martën pasdite, pas takimit me sekretarin amerikan Antony Blinken.

Në vend se presidentja dhe kryeministri të bënin një njoftim të përbashkët për media, meqenëse edhe takimi ishte i përbashkët, Osmani e Kurti kanë vrapuar se cili të njoftojë më shpejtë për këtë takim, shkruan Demokracia.com.

Presidentja ka arritur që e para të njoftoi në rrjetin social Facebook në orën 00:32. Në postimin e saj, Osmani nuk e ka përmendur fare emrin e kryeministrit Kurti, ndonëse ai ishte në fotografitë e takimit.

Ajo ka shkruar se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale.

“Nder i veçantë takimi me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, me të cilin rikonfirmuam partneritetin tonë të palëkundur, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm e strategjik. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta intensifikojmë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik. Së bashku qëndrojmë krah për krah në adresimin e sfidave të përbashkëta ndaj paqes, sigurisë, si dhe në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike.”, ka shkruar Osmani në Facebook.

E kryeministri Albin Kurti ka postuar fiks 10 minuta pas Osmanit.

Por, për dallim nga Osmani, Kurti e ka përmendur me emër, duke e filluar njoftimin me “së bashku me presidenten”.

“Së bashku me Presidenten Osmani, të shoqëruar edhe nga ambasadori jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli takuam sot Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Me Sekretarin Blinken diskutuam për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës. Theksuam raportet tona bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre sidomos në rrafshin ekonomik me më shumë investime dhe në atë tregtar me më shumë shkëmbime”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për demokratizimin e rajonit dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet nga të cilat kanoset Ballkani Perëndimor.

“Anëtarësimi i Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse e të sigurisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit. Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë të fuqishme aktualisht dhe të thella historikisht. Qëndrojmë krah për krah njëra tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë”, ka shkruar kryeministri Kurti. 

Madje, Kurti ka postuar fotografi vetëm të presidentes, e cila as emrin nuk ia ka përmendur. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme