Lajme
Garë e fortë mes tre kandidatëve për president në Çeki
Demokracia
17:20 | 12 Janar 2023

Share:

Miliarderi populist Andrej Babis kryeson garën presidenciale në Republikën Çeke, në të cilën po marrin pjesë tetë kandidatë, që shpresojnë të zëvendësojnë presidentin aktual Milos Zeman. Ndonëse prestigjioz, posti i presidentit çek është kryesisht ceremonial. Lirimi nga akuzat për mashtrim financiar ka rritur shanset e ish-kryeministrit Babis për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahet të premten dhe të shtunën.

Mandati i dytë dhe i fundit i Presidentit aktual të Republikës Çeke, Milos Zeman, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të qëndrimeve të tij pro-ruse dhe pro-kineze, skadon më 8 mars.

Andrej Babis, 68 vjeç, ka qenë një figurë përçarëse në skenën e politikës çeke, duke u përballur me një numër skandalesh. Një gjykatë në Pragë, të hënën e liroi atë nga akuzat për mashtrim financiar që lidhen me keqpërdorimin e subvencioneve të Bashkimit Evropian me vlerë prej 2 milionë dollarësh. Prokuroria mund ta apelojë vendimin e gjykatës.

Ish-kryeministri Babis u deklarua i pafajshëm dhe vazhdimisht ka thënë se akuzat kundër tij ishin të motivuara politikisht.

“Sigurisht që kjo i dha një nxitje zotit Babis. Mendoj se ai ka qenë nën një presion të madh dhe ky është një lehtësim i madh për të”, thotë analisti Ladislav Mrklas nga Instituti CEVRO në Pragë.

Anketat tregojnë se tre kandidatë, përfshirë ish-kryeministrin Babis, janë në garë të ngushtë për presidentin e Republikës Çeke. Një nga rivalët e tij më të fortë është gjenerali në pension Petr Pavel, i cili ka qenë kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

“Avantazhi i tij i madh është përvoja e tij. Ai ka një karrierë të një personi që mund të quhet hero. Ai shpesh flet për vetën në këtë mënyrë, ose të paktën njerëzit përreth tij e bëjnë këtë. Ai ka mbajtur poste të larta në ushtrinë çeke. Ai është çeku i parë në një pozitë kaq të lartë në strukturat e NATO-s, ka patur misione të suksesshme ushtarake, gjatë të cilave është dalluar si hero”, thotë analisti Mrklas.

Kandidatja e tretë kryesore është Danuse Nerudova, e cila ka qenë rektore e Universitetit Mendel në qytetin e dytë më të madh çek, Brno. Ajo ka marrë mbështetje të fortë në sondazhe gjatë fushatës. Së fundmi, ajo pati një rënie të lehtë, por mbështetja për të mund të rritet sërish, pasi një nga kandidatët, udhëheqësi i sindikatave Josef Stredula, u tërhoq nga gara dhe u kërkoi mbështetësve të tij të votonin për zonjën Nerudova.

“Mendoj se gjenerali Pavel është aktualisht një kandidat i vërtetë. Danuše Rodová ka humbur pak vrullin dhe mbështetjen në këto javët e fundit dhe ajo do ta ketë të vështirë të rifitojë besimin e votuesve”, thotë analisti Mrklas.

Kushdo që do të marrë presidencën, do të duhet t’i përmbahet angazhimeve të vendit, përfshirë atyre lidhur me luftën në Ukrainë. Në rastin e ish-kryeministrit Babis, kjo mund të jetë e vështirë sepse një pjesë e bazës së votuesve të tij nuk e mbështet qëndrimin e vendit për të ndihmuar Ukrainën.

Por, analisti Mrklas thotë se zoti Babis, nëse zgjidhet, do të japë mbështetjen e tij në prapaskenë, megjithëse, ai ka shfryrtëzuar me mjeshtëri ndjenjat e një pjese të madhe të shoqërisë lidhur me ndihmat për Ukrainën.

“Qeveria çeke para se gjithash duhet të kujdeset për shoqërinë çeke dhe pastaj të ndihmojë Ukrainën. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se nuk do të dëgjojmë ndonjë deklaratë të fortë nga zoti Babis për Ukrainën apo Rusinë. Ai do të vazhdojë të thotë se politika duhet të mbetet e njëjtë, se qeveria çeke duhet të kujdeset shumë më tepër për qytetarët e saj”, thotë analisti çek.

Sondazhet tregojnë se asnjë nga kandidatët e mbetur nuk ka shanse të fitojë që në raundin e parë të zgjedhjeve. Dy kandidatët që do të marrin numrin më të madh të votave të premten dhe të shtunën, do të ndeshen pas dy javësh në balotazh./voa

Të ngjashme