Lajme
Garë e ashpër për skandale mes zëvendëskryeministrave të Twitterit, Bislimi lë në hije Gërvallën
Demokracia
17:17 | 10 Mars 2022

Share:

“Viti 2022 do të jetë interesant”, kështu deklaroi jo më larg se të mërkurën, ministrja Gërvalla – Schwarz. Interesant, por edhe me skandale diplomatike, pasi një të tillë e shkaktoi sot kolegu i saj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Dy zëvendëskryeministrat e Kosovës komunikojnë me publikun më së shumti përmes Twitterit. Megjithatë, as këtu nuk po ia dalin ta përfaqësojnë vendin në mënyrë të duhur, përcjell Demokracia.com.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në fund të vitit 2021 u shpall nga shumë media si personazhi i vitit për huqjet që i bëri në rrjetin social Twitter, duke ngatërruar emra diplomatësh e flamuj shtetesh.

Një huqje të ngjashme e shkaktoi edhe javën e kaluar, kur nga MPJ u njoftua se Gërvalla e ka pritur në takim ambasadoren jorezidente për Kosovën të Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, Nabila Al Shamsi, të cilën Gërvalla e cilësoi si jorezidente për Malin e Zi.

Por, skandali diplomatik i Besnik Bislimit, zëvendëskryeministrit për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, i lë në hije ato të Gërvallës. I njëjti u përgënjështrua sot nga zyrtari i lartë i Këshillit Europian, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra ndaj tij.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, i ka reaguar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, duke e demantuar, pasi ky i fundit kishte shkruar në “Twitter” se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, përcjell Demokracia.com.

Berge ka thënë se fatkeqësisht, përshkrimi i Bislimit nuk përputhet me atë që ka deklaruar në takim lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ky fatkeqësisht, nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për Këshill të Evropës”, ka shkruar Berge si reagim për zëvendëskryeminstrin kosovar.

Shumë përdorues të rrjetit social i kanë reaguar Besnik Bislimit, duke i thënë se “dikush po gënjen” në këtë situatë.

Po ashtu, analistë politikë e kanë cilësuar këtë si skandal diplomatik tejet të madh të Qeverisë Kurti II./Demokracia.com/

Të ngjashme