Lajme
Gardiani i SHKK-së nga pozita e oficerit avancohet në u.d. zëvendësdrejtor i burgut në Prizren
Demokracia
14:04 | 21 Maj 2022

Share:

  • Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka graduar Besar Gashin, nga pozita e gardianit në pozitën e u.d. zëvendësdrejtorit të burgut të Prizrenit.

Gashi në detyrën paraprake kishte koeficentin 6, ndërsa në pozitën që është emëruar së fundmi e ka koeficientin 9, raporton Demokracia.com.

Ai edhe në muajin tetor për disa javë ishte vënë në krye të një institucioni tjetër, në një proces pa konkurs.

Siç mëson Demokracia.com, ish-ushtruesi i zëvendësdrejtorit të SHKK-së, Ali Gashi, kishte marrë vendimin e avancimit të Besar Gashit dhe ishin anashkaluar zyrtarët e tjerë me koeficient me të lartë.

Demokracia.com ka pyetur edhe në Ministrinë e Drejtësisë rreth kësaj çështjeje.

“Për pyetjet e parashtruara ju njoftojmë se z. Gashi, nga pozita e Udhëheqësit të Njësisë për Inteligjencë, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së është caktuar Zëvendësues i Zëvendësdrejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, pasi i njëjti ka treguar performancë të mirë në punë dhe përvojë pune profesionale prej 15 vite. Pozita e Zëvendësdrejtorit ka qenë e lirë dhe e njëjta është plotësuar përkohësisht pas kërkesës së Drejtorit të QP, Prizren”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Demokracia.com.

Nga kjo ministri e pranojnë se Gashi është graduar pasi që nuk ka pasur kandidatë të tjerë.

“Lidhur me konkursin për Zëvendësdrejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ju njoftoj se bazuar në Ligjin për Zyrtarë Publik kjo pozitë është hapur fillimisht për lëvizshmëri në detyrë, e në ketë fazë të drejtë për aplikim kanë pasur vetëm nëpunësit civil ekzistues të së njëjtës kategori të punësuar në të njëjtin apo në një tjetër institucion të shërbimit civil. Njësia e burimeve njerëzore ka konstatuar se asnjë kandidat i të njëjtës kategori nuk ka aplikuar dhe pas dështimit të kësaj faze është hapur procedura e konkurrimit me avancim, e cila është në fazën e vlerësimit të kandidatëve”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Demokracia.com.

Në konkursin vendimmarrës në punësimin e gardianëve, që një pjesë kanë rezultuar të jenë militantë të partisë në pushtet, mësohet se ishin Jaha Zeneli dhe ish-gardiani i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Besar Gashi, tani u.d. i zëvendësdrejtorit të burgut të Prizrenit.

Kjo pasi Zeneli ishte raportuar se ka qenë pjesë e komisionit për intervistimin e aplikuesve në konkursin e fundit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zeneli përflitet si nip i deputetit Bajqinovci dhe kjo tregohet edhe përmes fotografive që i njëjti i ka shpërndarë në rrjetin e tij social në Facebook.

“Me dajën tim, njërin nga deputetët më të votuar të Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci”, kishte shkruar në një rast Zeneli.

Të dy këto fotografi, Zeneli më pas i ka fshirë nga profili i tij.

Gjithashtu, konkursi për zëvendësdrejtor në Prizren është në proces ende.

Demokracia.com ka kërkuar sqarim nga Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës në lidhje me procesin e aplikimit, por ende nuk kanë kthyer përgjigje. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme