Lajme
Garda e FSK-së nderoi ushtarët serbë që bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në Luftën e I-rë Botërore: Pse?
Demokracia
11:30 | 14 Nëntor 2022

Share:

Më 11 nëntor, me organizimin e ambasadës së Gjermanisë dhe Francës, në varrezat e krishterëve në Arbëri, u mbajt ceremonia e 104 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ç ‘rast u përkujtuan të gjithë të rënët e kësaj lufte në Kosovë dhe Ballkan.

Problematike nga ajo ditë, po del të jetë gatitja e ushtarëve të ushtrisë së Kosovës, para pllakës dedikuar ushtarëve serbë gjatë luftërave të viteve 1912 -1918. Në ato vite, kishin ndodhur krime të llahtarshme ndaj shqiptarëve gjithandej.

Periskopi ka pyetur zëdhënësin e FSK-së, zotin Ibrahim Shala për këtë rast, por i njëjti na ka thënë se ‘do të na përgjigjet më vonë’ dhe në momentin që na përgjigjet, ne do ta publikojmë përgjigjen e tij, por fillimisht po sjellim një histori të atyre ditëve.

Adri Nurellari, sjell një reportazh të Leon Trockit, që kishte shkruar si dëshmitar nga vendi i ngjarjes se çka kishte ndodhur ato ditë. Ai e kishte shkruar artikullin më 23 dhjetor 1912 dhe Nurellari risjell këtë pjesë në kujtesë.

Për të kuptuar përmasat e gjenocidit ndaj shqiptarëve mjafton të lexohet raporti i atëhershëm i fondacionit Carnegie ose ky reportazhi i mëposhtëm i Leon Trockit, botuar në gazetën ruse “Kievskaja Misl” dhe shkruajtur si dëshmitar nga vend-ngjarja

Leon Trocki – “Kievskaja Misl” 23 dhjetor 1912.

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi, ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim u irritova nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Për shkak të pengesave që më bëri Ministria e Luftës, fillova të mendoj se njerëzit që e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen të pastër dhe se atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar.

Kjo përshtypje ose parandjenjë m’u përforcua pas takimit me një oficer, i cili kishte qenë në Shkup me ushtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

Oficeri, të cilin e kisha njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm.

Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja dhe se nuk e kuptonte pse Beogradi po vepronte në këtë mënyrë, sipas tij, duke i lejuar “të huajt” të shkonin në Shkup.

Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ndryshoja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme…”, – më tha ai.

Kjo, më duhet ta pranoj, se më bëri edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria apo qeveria?

Përgjigjen për këto pyetje e mora sapo arrita në Shkup. Trishtimi im filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite, iu afruam Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh.

Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Në një çast, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup.

Zbrita nga vagoni me të cilin udhëtova.

Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, prej të cilëve mbërrinin zëra të dehurish. Secili shkoi në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie.

Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me takije të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata u ngritën. Këtë ai e përsëriti disa herë…

Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyroi të pinë raki, pastaj… i puthi. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej duke luajtur me ta ashtu si macja e egërsuar me minjtë.

Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë, edhe ata të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin ose do kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej. “Këta janë arnautë”, – më thotë një ushtar, “tash do t’ i ther!”. Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha për të mbrojtur shqiptarët.

Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm nga një forcë tjetër e armatosur. E gjithë skena luhej në stacionin e trenit. Sapo mbërriti treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…

Në rrugët e qytetit dhe në vetë qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte i shkretë. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pasdite. Me të rënë nata, çetnikët fillonin punët e tyre.

Futeshin dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke vrarë e plaçkitur. Shkupi kishte 60 mijë banorë, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur.

Tashmë, gjatë natës kundër tyre kryheshin krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që me të cilën përballesha në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime…

Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë.

Duke u justifikuar se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Bisedova me tre prej atyre “torbaxhinjve”. Më i riu, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohej sesi me pushkën e tij kishte vrarë dy shqiptarë, ndërkohë që dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij.

“Një gjë nuk është e mirë, ankoheshin ata – Nuk kemi para me vete.

Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj…”

Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopekë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vranjës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë.

Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare të cilat i kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.

Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët.

Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë.

Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë! – thotë njëri – por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira!”. Për bëmat e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta.

Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në çfarë niveli shkon njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit.

Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend. Toga vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë.

Biseda me oficerin që e njihja:

“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë!”

Në mbrëmje, në një pijetore, takova një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij kishte qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij, rreshteri kishte tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit nga Koçani deri në Shkup. Topi do t’i dërgohej ushtrisë, e cila kishte rrethuar Edrenenë.

-Çfarë detyrash keni tani në Ferizaj mes shqiptarëve? – e pyes.

“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë!”,- thotë, duke bërë grimasa dhe duke hapur gojën nga lodhja. Pastaj vazhdon: “Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi si kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre u kemi therur burrat. Gratë nuk qanin nga frika. Na u lutën t’i lejonim të futeshin në shtëpi dhe të merrnin rrobat e tyre. I lejuam. Ato pastaj na dhanë nga një dhuratë. Pastaj i vumë zjarrin tërë vendit…!”

“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale? – e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij

“Nuk e di as vetë, mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin. Shumë gjëra si këto kanë ndodhur. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Menjëherë nuhata erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, mendova.

Ndalova qerren dhe i pyeta kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u justifikuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një rom, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdare. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova se kush ishin. -Zbritni! – urdhërova.

E kuptuan çfarë po u thosha, por hezitonin. Ç’të bësh? Vendosa bajonetën në pushkë dhe i thera të katërt…

E kisha njohur këtë njeri. Kishte qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua… Dhe shikoni tani se në çfarë është kthyer!

-Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim! – bërtita, duke ndjerë një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar.

Eprori u gjend në një situatë të vështirë. U duk sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta justifikonte veten, i bindur dhe serioz, shqiptoi një frazë, e cila kishte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.

“Jo. Nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë kokë më vete. Unë mund të siguroj për ushtarët!”

Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të ligj dhe të pavlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën.

Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndiheshin jo mirë nga banalitete të tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të marrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Kthimi

Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak për ta duruar. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në tren. Po shikoja fushat e gjera rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie! Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flas kur ju vetë i dini këto ide, porse ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fort.

Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardësh nga stacioni një kufomë me takije në kokë, me fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë nga hekurudha po qëndronin dy roje serbe, pjesë e forcave që po ruanin hekurudhën. Me siguri kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.

Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës, ushtarët po hapnin një gropë të madhe.

I pyes se për çfarë po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilët ishin parkuar anës rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë se u nevojiteshin, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. “Në atë kohë hëngra më shumë mjaltë, që ua merrnim shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime!”, – më thotë një ushtar.

Për çdo ditë, ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin duke i hedhur mbetjet tej. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas disa rregullave!”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve, ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen, “njerëzit mbi 12 vjeç”… të gjithë janë barbarizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore…

Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur para veprave të “trimërisë” së ushtarëve…

Marrë nga “Kievskaja Misl”, nr. 355, 23 dhjetor 1912.

11 nëntor 2022: Përkujtohen të rënët e Luftës së Parë Botërore në Kosovë dhe Ballkan / Mesazhet e ambasadorëve atë ditë 

Ambasadori Guérot në këtë ceremoni përkujtimore deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet ta ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Francës, për t’u pajtuar dhe për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen.

“Vendi i këtyre varreve para të cilit jemi mbledhur sot dëshmon se ushtarët francezë që luftuan gjithë këto vite në Ballkan, ranë në Kosovë ndoshta në fund të luftës , në vjeshtën e vitit 1918, përkrahë ushtarëve aleatë të Mbretërisë së Serbisë. Ky homazh na mundëson gjithashtu të vlerësojmë rrugën e përkushtuar që nga ajo kohë. Duke u përkushtuar me vendosmëri në rrugën e pajtimit, Franca dhe Gjermania kanë mundur të gjejnë rrugën e vëllazërisë dhe paqes. Lidhjet tona, miqësia jonë e thellë, kanë bërë të mundur krijimin e një Evrope të re të ndërtuar mbi një themel të ambicieve të përbashkëta. Një Evropë e fortë, e lirë dhe e pavarur, e përkushtuar ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha ai.

Ai tregoi se çka ka arritur Gjermania dhe Franca mund të jetë frymëzim për rajonin. Guérot tha se edhe pse ka qenë i gjatë dhe i vështirë dialogu është e domosdoshme për të mirën e vendit. Sipas tij, kjo është rruga që duhet ta ndjekin Kosova dhe Serbia.

“Ajo që ka arritur Gjermania dhe Franca mund të jetë burim frymëzimi për të gjithë rajonin. Dialogu, edhe pse i gjatë dhe i vështirë, është një domosdoshmëri që duhet të zhvillohet në një frymë konstruktive dhe të hapur. Kjo është rruga që Kosova dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët duhet ta ndjekin tani për të arritur pajtimin dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët…18 ushtarë francezë humbën jetën gjatë shërbimit në KFOR. Dëshiroj të ndërlidh përkujtimin për ta me ceremoninë tonë. Duhet shikuar nga e ardhmja, në vend që të rikthehen demonët e vjetër dhe ideologjitë manipuluese që çuan në luftë në të kaluarën dhe që pretendojnë të justifikojnë agresionin rus në Ukrainë”, u shpreh ai.

Kurse ambasadori gjermanJörn Rohde tha se pasojat e luftës kanë qenë të tmerrshme, ai tregoi se 9 milionë ushtarë dhe 17 milionë njerëz humbën jetën. Pas katastrofës së luftës ai përmendi dhe muajin nëntor si ditë feste ku u formuar historia e marrëdhënieve franko-gjermane, Rohde e konsideron si arritje historike ku Gjermania dhe Franca janë bërë miq dhe aleatë.

“Pasojat humanitare të asaj lufte të tmerrshme ishin shkatërruese, më shumë se 9 milionë ushtarë humbën jetën, për të mos folur për miliona viktima civile në të gjithë kontinentin, që arritën një numër të përgjithshëm prej 17 milionë njerëz të vdekur. Zonja dhe zotërinj, është e rëndësishme të mbani mend, është e rëndësishme të përkujtoni sepse historia përsëritet, prandaj jemi këtu sot. Lufta Botërore shpesh përmendet si katastrofa e parë e shekullit 21, dhe me të drejtë nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe nuk do ta harrojmë kurrë. Por me gjithë zinë dhe pikëllimin që jemi mbledhur sot këtu, 11 Nëntori është gjithashtu një ditë feste, historia e marrëdhënieve franko-gjermane ka qenë e vështirë për shekuj me radhë, e karakterizuar nga frika, luftëra të pafundme dhe vdekje të panumërta që datojnë nga viti 1918. Por sot, gjermanët dhe francezët po mblidhen këtu jo vetëm si aleatët më të afërt, por tani të dy vendet dhe popujt tanë janë bërë miq dhe aleatë. Kjo arritje historike është një kryevepër e diplomacisë dhe me të vërtetë pajtimi mahnit edhe sot, por edhe ndjen krenari dhe shpresë”, tha ai.

Gjithashtu ai tha se miqësia franko-gjermane është histori suksesi, ku sipas tij është shembulli më i mirë për mundësinë e pajtimit të dy vendeve armike duke lënë të kaluarën anash për ardhmërinë e vendit.

“ Miqësia franko-gjermane është një histori suksesi unik historik, tregon se pajtimi është i mundur edhe mes ish-armiqve, dëshmon se konfliktet e së kaluarës mund të kapërcehen nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik. Shpresoj se mund të shërbejë gjithashtu si shembull për pajtimin në Ballkanin Perëndimor, ka shumë aksione në Evropë këto ditë, pushtimi i tmerrshëm i Rusisë në Ukrainë dhe mendimi empireal pas tij na tregon brutalisht se disa prej nesh e shohin dhunën dhe vrasjen si një vazhdim legjitim të politikës, kjo tregon kujtimet për tmerret e luftës në të kaluarën duket se janë duke u zbehur. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë, kujtimi i së kaluarës sonë është një pjesë integrale e angazhimit tonë për të mbështetur dhe mbrojtur rendin global të paqes që arritëm të vendosim pas vitit 1945. Ne duhet të kujtojmë, nuk duhet të harrojmë kurrë”, tha ai.

Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918, me fitoren e Bllokut të Antantës ku bënte pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, ndaj Aleancës Tripalëshe, ku bënin pjesë: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia.

Të ngjashme