Lajme
Garancia e BE-së për Asociacionin, Haziri thotë se meritat që Konjufca ia dha Mustafës e bënë Kurtin të ndalet
Demokracia
15:54 | 27 Korrik 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti tha së fundmi se Asociacioni do të zbatohet, por kjo nuk e bind nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, sipas të cilit shefi i Qeverisë “është kthyer në pikën zero”. Sipas Hazirit, Kurtin e bëri ta rishikojë vizionin në këtë çështje deklarata e kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili ia njohu meritat ish-kryeministrit Isa Mustafa për një garanci të marrë nga BE-ja se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive.

Asociacioni duhet të zbatohet, thotë kryeministri Albin Kurti, i cili përsërit vazhdimisht kërkesën që të gjitha pikat e marrëveshjes së fundit me Serbinë të zbatohen sa më shpejt.

Kur flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tash nuk harron pa e përmendur një letër që në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa e kishte pranuar nga ish-përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ku thuhej se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë”.

Së fundmi, në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list”, Kurti tha se për të janë të pranueshme të gjitha pikat e marrëveshjes së finalizuar në Ohër. Dhe, e përmendi garancinë e Mogherinit.

“Unë kam thënë siç e shoh, jam gati për atë që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre, të cilat janë mjaft të gjera sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes”, tha Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca pati thënë në maj se kjo letër po e ndihmon Qeverinë e Kosovës.

“Na u është dukur një siguresë e mirë….Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ia jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, pati thënë Konjufca.

Haziri thotë se Kurti u kthye në pikën zero pasi Konjufca ia ‘zgjati dorën’ Mustafës për marrëveshjen e vitit 2015

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin “politikisht”, por dyshon se ai do ta hartojë një draft të statutit të kësaj bashkësie komunash.

Sipas Hazirit, Kurti “i është kthy rolit të tij opozitar, është kthyer në pikën zero”. Krejt kjo, sipas tij, pasi Konjufca ia njohu meritën ish-kryeministrit Isa Mustafa për letrën e marrë nga Mogherini.

“Ajo që ishte e fundit e që e krijoi një ambient të ri, një rrethanë të re, koha kur i dha të drejtë LDK-së në marrëveshjen e arritur si qeverisje në vitin 2015, kur tha që vizioni ynë është që vizioni ynë është që marrëveshja e vitit 2013, e bazuar në parimet e marrëveshjes së vitit 2015, në letrën e zonjës Mogherini dhe në nenin 2 të marrëveshjes, Gjykata Kushtetuese e ka një rol. Kjo është diçka që ne mund të punojmë. Por kur filloi debati që LDK-ja po fiton të drejtë me këto siguresa që i ka vendosë…”, tha Haziri të mërkurën në Tëvë1.

“Mendoj që deklarata e z. Konjufca e ka dëmtu procesin. Ndoshta ka folë më shumë me zemër sesa me mendje si reagim, por ka bërë që Vetëvendosja me e rishiku atë vizion”, tha ndër tjerash nënkryetari i partisë më të vjetër në vend.

Haziri tha se Kurti i ka thënë “një ‘po të madhe” marrëveshjes së fundit me Serbinë, pasi për të “nuk ka pasur hapësirë negociuese”.

“Një ‘po’ që në Kosovë është thënë me gjysmë zëri fillimisht nga ana e tij”, theksoi ai./Express

Të ngjashme