Barazia
GAP: Ka hendek të përfaqësimit gjinor në borde, dominojnë burrat
Demokracia
11:21 | 12 Korrik 2021
Foto Ilustrim

Share:

Instituti GAP ka publikuar raportin “Sfida 50/50: Zbatimi i kuotës gjinore në bordet e institucioneve publike”, në të cilin është analizuar baza ligjore për përfaqësim të barabartë gjinor në bordet publike dhe janë ofruar të dhëna mbi përbërjen aktuale të bordeve të agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike, si dhe pozitat që do të jenë të lira në vitet e ardhshme. 

Në raportin e GAP thuhet se aktualisht ekziston një hendek i thellë i përfaqësimit gjinor në borde dhe pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, përcjell Demokracia.com.

“Tek ndërmarrjet publike, mesatarisht 27% e përbërjes së bordeve janë gra, ndërsa 28% tek agjencitë e pavarura. Në pesë nga 14 ndërmarrjet publike, gratë nuk janë fare të përfaqësuara. Në pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura vetëm 33% janë gra, ndërsa vetëm dy kanë kryeshefe ekzekutive nga 32 institucionet e përfshira në këtë hulumtim”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Në mbledhjen e nëntë të qeverisë së Kosovës, për herë të parë u anulua një vendim për emërimin e anëtarëve të një bordi me arsyetimin se nuk ishte respektuar Ligji për barazi gjinore. Ky ligj, që është në fuqi prej vitit 2015, kërkon përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe të tjera. Por, deri më tani, institucionet publike kanë injoruar obligimin ligjor për përfaqësim të barabartë, duke interpretuar dispozitat e Ligjit për barazi gjinore si jo obligative.

Aktualisht ekziston një hendek i thellë i përfaqësimit gjinor në borde dhe pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura. Tek ndërmarrjet publike, mesatarisht 27% e përbërjes së bordeve janë gra, ndërsa 28% tek agjencitë e pavarura. Në pesë nga 14 ndërmarrjet publike, gratë nuk janë fare të përfaqësuara. Në pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura vetëm 33% janë gra, ndërsa vetëm dy kanë kryeshefe ekzekutive nga 32 institucionet e përfshira në këtë hulumtim.

Në këtë raport Instituti GAP ka analizuar bazën ligjore për përfaqësim të barabartë gjinor në bordet publike dhe ka ofruar të dhëna mbi përbërjen aktuale të bordeve të agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike dhe pozitat që do të jenë të lira në vitet e ardhshme.  Hulumtimi tregon se deri në fund të vitit 2021 do të përfundojnë mbi 50 mandate nëpër bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura. Andaj, Instituti GAP i rekomandon Qeverisë dhe komunave që në pozitat e lira ta kenë parasysh kuoten gjinore në mënyrë që ta përmirësojnë dhe avancojnë përfaqësimin e barabartë gjinor në vendimmarrje.

Raportin e plotë mund ta gjeni  duke klikuar KËTU.

Të ngjashme