Lajme
Ganimet Shala, kandidatja shqiptare për parlamentin slloven e mbështetur nga Tanja Fajon
Demokracia
23:15 | 18 Prill 2022

Share:

Sllovenia zhvillon këtë të diel zgjedhjet parlamentare, ku për herë të parë garon edhe një kandidate shqiptare.

Ganimet Shala, gruaja e suksesshme e cila drejton dhe Shoqatën e Gruas Shqiptare atje është ftuar nga socialdemokratët e udhëhequr nga Tanja Fajon të përfaqësojë e vetme një rajon në këtë shtet.

Shala, shqiptarja nga Kosova që është integruar në Lubjanë, ndihet e vlerësuar që do të përfaqësojë komunitetin e 30 mijë shqiptarëve që jetojnë sot në Slloveni, por jo vetëm.

“Jam shqiptarja e parë që kandidon për zgjedhjet parlamentare të parlamentit të Republikës së Sllovenisë. Është një ndjenjë shumë e mirë dhe e bukur, sepse për mua është një vlerësim shumë i madh”, tha ajo në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, duke shtuar se do përpiqet të përforcojë dhe marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Kosovës.

Ajo shprehet krenare për lideren socialdemokrate Fajon, eurodeputetja e cila njihet edhe për kontributin e veçantë lidhur me proceset integruese të Shqipërisë por dhe të Kosovës në BE.

“Fajon ka dhënë kontribut për shtetet tona. Partia Socialdemokrate është një parti e hapur për të gjithë. Pas ftesës nga kjo forcë politike e kam gjetur veten në programin e kësaj partie”.

Zgjedhjet në Sllovendi do të vendosin Partinë Demokratike Sllovene të Kryeministrit Jansa dhe aleatët e saj kundër një koalicioni grupesh të majta që kanë premtuar të bashkojnë forcat kundër liderit populist që ka lidhje të ngushta me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Jansha, politikan veteran, mori drejtimin e qeverisë në fillim të marsit të vitit 2020, pikërisht kur filloi pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Kritikët në vend e kanë akuzuar kryeministrin për frenimin e lirive demokratike dhe nxitjen e politikave përçarëse në kombin tradicionalisht të moderuar me rreth dy milionë banorë.

Të ngjashme