Bordi i Zyrës Rregullative të Energjisë (ZRRE), ka miratuar vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë rrymë mbi 800 kilovatë.
Pakënaqësi për rritjen e çmimit të rrymës u shfaqën nga qytetarët e Kosovës dhe të gjitha partitë opozitare.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike u tha se është dëmtim i madh i buxhetit të familjeve kosovare.
E kjo në veçanti prek komunitetet rom, ashkalinj e egjiptian, të cilat jetojnë në varfëri ekstreme, shkruan Demokracia.com.
Deputeti i Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi, në një intervistë për Demokracia.com, ka thënë se 30-40% e këtyre komuniteteve që jetojnë në varfëri të skajshme do t’ju rëndohet edhe më shumë jeta.
“Ky shtrenjtim i rrymës do ta vështirësoj jetën e komuniteteve, por edhe popullatës së Kosovës në përgjithësi”, ka thënë ai.
Galushi është shprehur se këto komunitete gjithmonë kanë qenë taksapagues të shtetit të Kosovës dhe se vetëm serbët janë favorizuar çdoherë.
“Komunitetet kanë qenë gjithmonë taksapagues të këtij shteti, duke e përjashtuar komunitetin serb që kanë qenë çdo herë të favorizuar qe 20 vjet dhe u është paguar rryma në veri. Në këtë rast viktimë e kësaj gjendje kanë qenë komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian, familjet e dëshmorëve, kategoritë e familjarëve të dala nga lufta, mirëpo përkundër të gjitha sfidave në fund të fundit këta kanë paguar taksat shtetit. Që të zgjidhet problematika e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, do të iniciojmë që të zgjidhet problematika vetëm për këto komunitete dhe kategorive të tjera që do të iu bëhet lehtësimi për pagesat e rrymës”, ka thënë Galushi.
Ai ka thënë se qytetarët duhet të shfaqin pakënaqësitë e tyre edhe përmes protestave.
“Protesta është një prej shenjave të pakënaqësisë që po e ngritin qytetarët e Kosovës, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për ta bërë një pagesë të rrymës me propozimin e ZRRE-së, do t’i shfrytëzojmë edhe rrugën institucionale për zgjedhjen e këtij rasti, ndërsa ata që mendojnë për protestë atëherë protesta është e mirë dhe demokratike për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, prandaj protestë është çdo lloj mënyre e kundërshtimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, prandaj protesta ka qenë edhe vota ime pro rezolutës së opozitës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”, ka thënë ai. /Demokracia.com/