Lajme
G7: Rritja e tarifave të rrymës, barrë e rëndë për bizneset e grave
Demokracia
12:38 | 09 Maj 2025

Share:

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e
vendosur ndaj vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave
të energjisë elektrike për 16.1%, si dhe ndaj kalimit të detyrueshëm të bizneseve të mëdha në
tregun e liberalizuar të energjisë që nga 1 qershori 2025.

Kjo masë e papritur paraqet pasoja serioze për sektorin privat në tërësi, por veçanërisht për
bizneset në pronësi të grave në Kosovë. Ajo vë në rrezik drejtpërdrejt funksionimin e qindra
ndërmarrjeve me më shumë se 50 të punësuar, por gjithashtu ndikon fuqishëm edhe te
ndërmarrjet mikro dhe të vogla (NVM), të cilat tashmë përballen me sfida të shumta strukturore
në qasjen në financa dhe tregje.

Ndikimi ndaj Grave Ndërmarrëse dhe Punësimit

Gratë ndërmarrëse në Kosovë kanë dëshmuar rol kyç në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës
të vendit. Megjithatë, rritja drastike dhe e paplanifikuar e kostos së energjisë vendos mbi to një
barrë të papërballueshme. Në sektorët ku konsumi i energjisë është i lartë si prodhimi ushqimor,
tekstili dhe përpunimi, energjia përbën një përqindje të konsiderueshme të kostove operative.
Rritja prej deri në 30% e shpenzimeve energjetike do ta bëjë të pamundur mbijetesën e shumë
prej këtyre bizneseve.

Nëse kjo prirje vazhdon, Kosova rrezikon një rritje të ndjeshme të papunësisë posaqerishte tek
gratë, duke zhbërë përparimet e arritura me mund në fuqizimin ekonomik të grave.

Sipas vlerësimeve të G7, deri në 40% e grave të punësuara në sektorët me konsum të lartë të energjisë
mund të humbin vendet e punës nëse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk mund të përballojnë
kostot e shtuara operative. Shumë nga këto vende pune janë të pazëvendësueshme për familjet
që mbështeten në një të ardhur të vetme.

Mbyllja e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 90% të strukturës së
ndërmarrjeve në Kosovë, do të ndikojë në uljen e kontributeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto
(PBB) dhe do të rrisë më tej presionin mbi sistemin e mirëqenies sociale.

Kjo do të çojë në dobësimin e zinxhirit të vlerës, tkurrjen e konsumit të brendshëm, uljen e kontributeve tatimore
dhe shtimin e presionit mbi skemat sociale të shtetit.

Thirrje për Veprim

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 kërkon nga Qeveria e Kosovës, Zyra e Rregullatorit
për Energji dhe institucionet relevante që të ndërmarrin këto hapa të menjëhershëm:

1. Rishqyrtimin urgjent të vendimit për rritjen e tarifave të energjisë, duke marrë
parasysh ndikimin disproporcional ndaj kategorive të ndjeshme të bizneseve, përfshirë ato
në pronësi të grave.

2. Krijimin e një mekanizmi të mbështetjes emergjente për energjinë për ndërmarrjet
mikro, të vogla dhe të mesme, për energjinë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të
mesmesi, për të parandaluar mbylljen e tyre dhe humbjen e vendeve të punës;

3. Përshpejtimin e investimeve në energji alternative dhe eficiencë energjetike të
përshtatura për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllim uljen e varësisë nga importi
dhe stabilizimin afatgjatë të tregut.

4. Përfshirjen e organizatave të grave në konsultimet për politikat energjetike, për të
siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme gjinore në vendimmarrje.

Ky është një moment kritik që do të përcaktojë drejtimin ekonomik të Kosovës për vitet në vijim. Politikat publike duhet të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në realitetin e bizneseve
vendore. Sektori privat veçanërisht ndërmarrjet në pronësi të grave nuk duhet të vazhdojnë të
mbajnë barrën e padrejtë të vendimeve që rrezikojnë stabilitetin ekonomik, rrisin pabarazitë dhe
cenojnë kohezionin shoqëror. Është koha për vendimmarrje të përgjegjshme që mbështet rritjen
e barabartë dhe qëndrueshmërinë ekonomike për të gjithë.

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me
institucionet e Republikes se Kosoves për të identifikuar zgjidhje të qëndrueshme që ruajnë
bizneset, forcojnë konkurrueshmërinë dhe mbrojnë punësimin e grave.

Të ngjashme