Lajme
G7 gati të bien dakord për vendosjen e çmimit tavan për naftën
Demokracia
10:42 | 03 Shtator 2022

Share:

Vendet e G7 janë gati të bien dakord për një kufi çmimi për blerjet e naftës ruse për të kufizuar të ardhurat e Kremlinit nga eksportet dhe aftësinë për të financuar luftën e tij kundër Ukrainës.

Ministrat e Financave nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia do të japin zyrtarisht mbështetjen e tyre politike për lëvizjen në një takim virtual të premten pasdite(2 shtator), sipas pesë zyrtarëve të informuar mbi bisedimet.

Kufiri do të zbatohej në të njëjtën kohë me embargot e vetë BE-së ndaj importeve të naftës ruse.

Dy nga zyrtarët thanë se masa do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor për naftën bruto dhe më 5 shkurt për produktet e rafinuara. Kufiri i çmimit ka mbështetjen e Komisionit Europian, por ka nevojë për mbështetje nga vendet anëtare të BE-së. Zyrtarët kanë thënë gjithashtu se që ajo të jetë më efektive, do të kërkojë mbështetjen e vendeve të treta që blejnë sasi të mëdha nafte ruse, si India.

“Një kufi çmimi. . . siguron që çdo vend të mund të marrë çmimin më të ulët të mundshëm dhe kjo është e mirë për botën”, tha James O’Brien, koordinator i sanksioneve në Departamentin e Shtetit të SHBA.

Çmimet e energjisë janë rritur që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt, i cili u pasua nga një sërë sanksionesh perëndimore kundër Moskës dhe lëvizjet e vendeve për të ndaluar blerjen e naftës ruse.

Rritjet e çmimeve i kanë dhënë Kremlinit një fitim të papritur nga eksporti. G7 në qershor ra dakord të eksploronte mënyra për të kufizuar të ardhurat e Moskës pa rritur çmimet globale.

Që atëherë, zyrtarët amerikanë kanë punuar për të gjetur një konsensus brenda G7 për skicat e kufirit dhe se si do të zbatohej.

Drejtuesit e industrisë së naftës dhe disa zyrtarë qeveritarë të G7 kanë shprehur skepticizëm mbi mënyrën se si do të funksiononte kufiri dhe nëse mjaft vende do ta miratonin atë. Rusia kërcënoi se do të ndalojë shitjen e naftës për çdo vend që ka miratuar një mekanizëm të kufirit të çmimit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se masa do të ishte një “vendim absurd” dhe do të “çonte në një destabilizim të rëndësishëm të tregjeve të naftës”, sipas Interfax. Kur u pyet për atë kërcënim, O’Brien tha: “Rusia duhet të mbajë në punë makinerinë e saj të energjisë dhe ka nevojë për para. Ajo që zgjedh të bëjë është vendimi i saj.”

Të ngjashme