Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Bekim Qoku, nuk po e përballon dot zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër të Maqedonisë.
Nga dita e zgjedhjes së Xhaferit, ai nuk i ka ndalur fyerjet ndaj kryeministrit të parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut.
Përmes postimeve skandaloze në profilin e tij në “Facebook”, Qoku, i cili është nga Maqedonia, ka kontestuar atdhetarinë e Xhaferit dhe e ka krahasuar atë me personalitet komuniste shqiptare të ish-Jugosllavisë.
Ai fyerjet i ka vazhduar edhe pasi kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë uruar Xhaferin për përgjegjësinë e re.
Krahasimi që Qoku ia ka bërë Xhaferit me Sinan Hasanin ishte më i rëndi.
“Pse krahasohet kryeministri teknik i BDI-së me Sinan Hasanin? Sepse Hasani ishte fasada në Jugosllavi që mbulonte torturat, diskriminimin, pabarazinë reale që i ndodhte një populli të tërë. Kështu është shumë më kollaj të thuhet: ‘po ju ç’doni më, e keni presidentin Hasani (kryeministrin teknik), mbylleni gojën. Spitalet, shkollat, gjuha shqipe, teatrot s’ kanë ç’u duhen, gjithë këto do i gjeni në Gjermani’”, ka shkruar Qoku në profilin e tij në “Facebok”, duke kritikuar edhe mediat dhe gazetarët nga Shqipëria që kanë përcjell këtë ngjarje.
Në një postim paraprak, Qoku ia ka kontestuar edhe atdhetarinë Talat Xhaferit, i cili në kohen e konfliktit në Maqedoni në vitin 2001 kishte braktisur ushtrinë maqedonase për të iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, ka shkruar ai.
Një ditë para zgjedhjet se Xhaferit kryeministër, ai kishte sulmuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte lavdëruar Xhaferin dhe Ali Ahmetin.
“Para do kohe Edi Rama deklaroi se për të Jugosllavia ka qenë “planet i lirisë”. Kryeministrit shqiptar nuk i bën fare përshtypje që shqiptarët konsiderohen qytetarë të dorës së dytë a tretë. E dimë tashmë që atij i pëlqen dukja, PiaRri. I mjafton Abazoviqi që flet shqip dhe punon për serbët. Prandaj i duket historike edhe një kryeministër teknik në Maqedoninë e Veriut që flet shqip, pavarësisht që ai vjen nga një parti politike skajshmërisht e korruptuar, me afera të panumërta dhe që popullit të vendit i ka shkaktuar gjithë ato dëme këto 22 vjet në pushtet”, ka shkruar Qoku.
Ndaj qëndrimeve të Qokut nuk është distancuar të kryeministrit Albin Kurti.
Madje, këshilltarët tjerë të Kurtit, Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxahj, ia ka bërë “like” postimeve të Qokut.
“Nuk mendon vetëm Qoku kështu”
Qëndrimet e Bekim Qokut kanë nxitur reagime të shumta në Maqedoni dhe Kosovës.
Njohës të rrethanave politike në Maqedoni dhe Kosova i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të shkarkojë këshilltarin në fjalë.
Profesori i njohur nga Maqedonia, Nuri Bexheti, ka thënë se ai duhet të shkarkohet menjëherë.
“Kryeministri Kurti duhet ta shkarkojë z. Qoku menjëherë, që nesër, me këtë veprim që e ka bërë”, ka thënë Bexheti në emisionin “Debat Plus”, duke thënë se ai e turpëron edhe kryeministrin e Kosovës.
“Ai e turpëron kryeministrin e vet me këtë sjellje. Një kryeministër që ka një këshilltar që e krahason një kryeministër shqiptar të zgjedhor në Republikën e Maqedonisë, që është vullnet i një parlamenti legjitim, dhe që e krahason me Sinan Hasanin, një mbeturinë komunistes të Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe analisti Visar Ymeri ka kërkuar shkarkimin e Qokut.
Reagimet e Qokut ndaj Xhaferit Ymeri i ka quajtur skandaloze.
“Për mua nuk është distancim i qartë, përveç nëse merren masa ndaj z. Qokut, në kuptimin e të mos qenurit më këshilltar i kryeministrit për shkak të këtyre reagimeve që mendoj se janë skandaloze. Sepse këshilltari i kryeministrit megjithatë është post publik në kuptimin e pozitës që e ka, pagës që e merr e kështu me radhë”, është shprehur ai, duke thënë se Kurti duhet të veprojë si me ish-këshilltarin Shkëlzen Gashi.
“Ne e kemi pasur një rast më herët, me z. Gashi kur ishte këshilltar i kryeministrit Kurti dhe u shkarkua për shkak të një deklarate për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Atëherë u shkarkuar se kishte presion publik, tash nëse nuk do të ndërtohet ky presin publike, mbase z. Kurti nuk do të lëvizë. Unë mendoj se duhet përdoru i njëjti standard”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, në VV-ja është një rrymë që mendon kështu.
“Bekim qoku nuk është vetëm një anëtar i VV-së që mendon kështu, është një rrymë brenda VV-së që mendojnë kështu që përfshihet z. Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha e kështu me rradhë, të cilët pak a shumë kanë shkruar për këtë çështje në këto vija”, ka thënë Ymeri.
Në prill të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti e ka emëruar Bekim Qokun Këshilltar të Jashtëm Politik të Kryeministrit për marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Më herët, Qoku ka qenë edhe deputet i PDSH-së në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.