OpEd
Fundi i centraleve bërthamore në Gjermani
Demokracia
12:07 | 31 Janar 2025

Share:

Nga: ANETA WOLTER

Më 15 prill 2023, Gjermania hoqi nga rrjeti tri centralet e fundit bërthamore të saj. Megjithatë, siç thekson z. König, presidenti i kompanisë më të madhe kimike për menaxhimin e mbetjeve nukleare, kjo nuk shënon fundin e epokës bërthamore për brezat e ardhshëm: “Për brezat e ardhshëm, kapitulli i energjisë bërthamore nuk u mbyll më 15 prill. Gjashtë dekadave në të cilat energjia bërthamore u përdor për prodhimin e energjisë elektrike do t’u shtohen të paktën edhe 60 vite të tjera, që do të nevojiten për çmontimin e centraleve bërthamore”. Për më tepër, sfida më e madhe ende e pazgjidhur mbetet gjetja e një forme përfundimtare të depozitimit (jo kalimtare, siç është sot) për mbetjet radioaktive të centraleve, një depozitim që duhet të garantojë siguri nga 200.000 deri në 1 milion vite, në varësi të stadit të uranit, derisa rrezatimi të shuhet plotësisht. Në këtë kontekst, deklarata e ministres së Mjedisit, e cila theksonte se mbi 30.000 breza do të duhet të jetojnë me këtë “trashëgimi radioaktive”, pasqyron më së miri dilemat dhe sfidat e Gjermanisë në këtë epokë post-bërthamore dhe tregon drejtësinë e vendimit politik për ta ndaluar atë, në mbrojtje të popullsisë. Vendimin për mbylljen e termocentraleve bërthamore, qeveria e atëhershme e kancelares Merkel e mori menjëherë pas katastrofës që ndodhi në vitin 2011 në centralin bërthamor të Fukushimës në Japoni, katastrofë kjo që erdhi si pasojë e një tërmeti të fortë. Qeveria jonë e sotme e zbatoi atë vendim deri në fund. Por, cilat ishin disa nga argumentet që e çuan Gjermaninë të merrte këtë vendim? Më poshtë janë disa prej tyre:

Mungesa e sigurisë absolute ndaj aksidenteve – Edhe centralet bërthamore më të mira dhe më moderne, të bazuara në standardet më të larta perëndimore të ndërtimit dhe shfrytëzimit (siç ishte Fukushima), nuk mund të garantojnë siguri absolute. Shkaku kryesor i fatkeqësive bërthamore si psh., edhe në Çernobil, mbeten gjithmonë gabimet njerëzore – krejtësisht të pavarura nga standardet teknike.

Çmimi i lartë i saj – Edhe pse shpesh gabimisht quhet energji e lirë, ajo, edhe pas gati 70 vjetësh funksionimi, nuk ka arritur atë që kanë arritur burimet e rinovueshme në vetëm 20 vjet. Duke marrë parasysh edhe subvencionet energjia bërthamore ka pasur një kosto prej rreth 42 cent për kilovat-orë, duke qenë kështu burimi më i shtrenjtë i prodhimit të energjisë elektrike krahasuar me të gjitha burimet e rinovueshme në Gjermani. Deri tani, më shumë se 203 miliardë euro subvencione direkte dhe indirekte janë paguar për industrinë bërthamore.

Burimet e kufizuara të uraniumit – Si një lëndë e parë fosile dhe e rrallë, ajo krijon potencialisht tensione dhe varësi që lidhen me furnizimin e sigurt.

Rreziku ndaj shëndetit – Sipas një studimi të kryer në emër të Zyrës Federale për Mbrojtjen nga Rrezatimi, fëmijët nën moshën pesë vjeç, që jetonin në një rreze prej 5 kilometrash nga centralet bërthamore gjermane, zhvillonin kancer 60% më shpesh se mesatarja kombëtare.

Rreziku i lartë ndaj sulmeve dhe aksidenteve – Centralet bërthamore përfaqësojnë një objektiv shumë më të prekshëm se llojet e tjera të centraleve, sidomos në rast sulmesh, tërmetesh, aksidentesh apo luftërash. Në rast të një katastrofe, ku zakonisht nuk ka kohë për evakuime dhe masa mbrojtëse, pasojat për njerëzit dhe mjedisin janë shkatërrimtare, të paktën në një rreze prej 300 km.

Shkarkimet e CO‚ – Me një vlerë prej 88– 146 g CO‚ /kilovat-orë gjatë gjithë ciklit të saj (nxjerrje, shfrytëzim, depozitim), ajo është shumë larg të qenit energji e pastër, krahasuar me energjinë e erës (2,8–7,4 g CO‚ /kilovat-orë) dhe atë diellore (19–59 g CO‚ /kilovat-orë).

Kostot e larta të çmontimit dhe depozitimit – Pas ciklit normal të shfrytëzimit (që për një central bërthamor është normalisht rreth 30 vjet), kostot totale për çmontimin e tyre aktualisht llogariten deri në 170 miliardë euro, ku shumicën e paguajnë taksapaguesit.

Trendi botëror i centraleve bërthamore është në rënie, edhe pse në disa vende ato vazhdojnë të ndërtohen. Në kufijtë tanë, brenda një rreze prej 100 km, ndodhen shtatë centrale bërthamore të vendeve fqinje. Në këtë situatë, për ne kanë rëndësi veçanërisht dy aspekte që janë vendimtare për më shumë siguri: Matja e rregullt dhe në shkallë të gjerë e radioaktivitetit, si edhe një analizë gjithëpërfshirëse e situatës në raste emergjente. Gjermania operon rrjetin më të dendur të matjes së radioaktivitetit në botë dhe ka një sistem funksional të paralajmërimit të hershëm. Të dyja këto përbëjnë mbështetje për mbrojtjen e qytetarëve tanë./ Gazeta Panorama

Të ngjashme