Lajme
Ftesa e Borrellit| Kurti nuk ka përgjigje, Vuçiqi nuk shkon
Demokracia
15:03 | 18 Qershor 2023

Share:

Kurti tha nuk e di nëse do të shkojë, Vuçiq tha se nuk do të shkojë – ndërkohë që që të dy kanë pranuar ftesë nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për një takim jo si kaherë të quajtur “takim i Nivelit të Lartë” por “takim për menaxhim krizash”. Kjo në dritën e ngjarjeve të tri javëve të fundit ku tensionet kanë arritur në një pikë vlimi mes Kosovës dhe Serbisë si pasojë e instalimit të kryetarëve shqiptarë (legalë por jo legjitimë) në tri komunat të banuara me shumicë serbe.

Ajo çfarë kishte parashikuar Josep Borrell më 2 maj në Bruksel se situata në veri mund të përkeqësohet si pasojë e zgjedhjeve të reja pa pjesëmarrje të serbëve, e ku kishte kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “të djegeshin mandatet e kryetarëve”, tash iu kthye në realitet; me situatë të kthyer në “menaxhim krizash”; ku edhe tre muaj pas Marrëveshjes së Ohrit, gjendja jo vetëm që nuk ka avancuar ose qëndruar së paku në vendnumëro – por është kthyer mbrapa.

Borrell, tha se do të ftojë javën e ardhshme takim Kurti-Vuçiq, por se, me ç’duket nga deklarimet e liderëve, kjo gjë është e destinuar të dështojë. Ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ai i cili në një adresim për media tha se “nuk kam çka të flas me Kurtin” në këtë situatë derisa njoftoi se cilat janë mundësitë “që takimi të kishte kuptim”: Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e kryetarëve shqiptarë dhe tërheqja e njësive speciale. Këto kërkesa ose përmbushja e tyre janë më së paku në konsideratën e Kurtin.

Bashkësia ndërkombëtare (ajo Trans-Atlantike) barrën e fajit ia ka rënduar Kosovën me vendimin e saj që “me doemos” të instalojë me forcë dhe me aparaturë të tërë policore tre kryetarët shqiptarë (me nga afro 100 vota) në ndërtesat komunale zyrtare në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan (në dy këto të fundit janë tërhequr kryetarët por jo policia) pavarësisht këshillave dhe rekomandimeve të QUINT’it. Këto veprime, thonë njëzëri ata, ngritën ashpërsisht tensionet në veri.

Për ftesën e Borrellit, Kurti u shpreh në mëdyshje. Do ta konsiderojë, tha ai, derisa e kritikoi për kohëzgjedhjen e thirrjes së këtij takimi. “Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj, mirëpo do ta informoj me kohë zotin Borrell”.

“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës”.

“Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëherë marr ftesë për takim në Bruksel. Kurse, kur kërkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”, tha Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër tha se “as që më shkon ndërmend të bisedojë diçka me Kurtin” duke folur për ngjarjet e fundit në pjesën veriore të vendit, e në veçanti të arrestimeve. Ai tha se njëherë duhet të ndodh lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e kryetarëve shqiptarë dhe njësiteve speciale, për të mund të pasur bisedime, shkruan Nacionale.

“Mendoj se është komplet e pakuptimtë të bisedojë me një njeri që kurrë s’ka qenë i interesuar të bisedojë dhe as që më shkon mendja të bisedojë ndogjë derisa serbët të lirohen”, tha ai, ndërsa shtoi se “sa për ekspertët që më thërrasin çdo ditë – më duhet t’ju them – së pari zgjidheni këtë më fëmijën e juaj, Albin Kurtin, pastaj më thirrni”.

“Ata e kanë të vetmen detyrë, mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës, nuk ua ndien për serbët e arrestuar dhe të keqtrajtuar. Nuk ua ndien pse këta serbë janë arrestuar. Një bisedë e tillë është e pakuptimtë, sepse as dialogu s’ka kuptim kur gjithmonë është ‘Vuçiq jep diçka dhe bëj diçka’”, tha mes tjerash ai.

Të ngjashme