Lajme
FSK-ja redukton aktivitetet, s’mund të furnizohet me derivate në Petrol Company
Demokracia
18:45 | 08 Maj 2022

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ia ka pezulluar përkohësisht licencën Petrol Company. Kësisoj, shumë institucione që kanë kontratë me këtë kompani, kanë mbetur pa furnizim me derivate.

Forca e Sigurisë së Kosovës i ka reduktuar shumicën e aktiviteteve që ndërlidhen me mjetet motorike, për shkak se rrezikon të mbetet pa karburante. Ministria e Mbrojtjes, e cila ka kontratë me Petrol Company për furnizim me derivate, licenca e të cilës është pezulluar përkohësisht për shkak të dyshimeve se u ka shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, sipas burimeve të Demokracia.com, më nuk është duke u furnizuar me derivate nga kjo kompani.

Sipas MINT-it, nga mostrat e testuara të naftës të përdorura në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës është gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh në kilogram, që tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.

Kësisoj, kjo kompani nuk mund të kryejë më furnizimin me karburante për nevojat e FSK-së, raporton Demokracia.com.

Nuk dihet edhe për sa muaj ka rezerva FSK-ja, megjithatë kontrata e nënshkruar mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Petrol Company ka zyrtarisht afat prej 36 muajsh.

Demokracia.com ka kontaktuar me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili e ka mohuar se FSK-ja është pa karburante.

Syla ka thënë se tashmë janë duke i përgatitur procedurat për furnizim me karburante nga operatorët e tjerë.

“Është informacion dashakeqës, sepse të gjitha aktivitetet e FSK-së janë duke u zhvilluar. Kemi karburant dhe janë duke u bërë procedurat e reja për furnizim me operatorë të tjerë”, ka thënë Syla për Demokracia.com.

Kontrata mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Petrol Company ishte nënshkruar në korrik të vitit të kaluar, “Furnizim me propan butan për nevojat e FSK-së” dhe ajo është valide për 36 muaj.

Sipas tenderit të publikuar, Ministria e Mbrojtjes dhe Petrol Company kishin nënshkruar kontratë në vlerë prej 128 mijë eurove për furnizim me benzinë, gaz natyror, naftë dhe produkte të ngjashme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Siç thuhet në tender, Operatori Ekonomik që shpërblehet me kontratë duhet ta bëjë shpërndarjen në të gjitha kazermat e FSK-së, ku njësitet posedojnë rezervuarët dhe sipas nevojës edhe boca të gazit, si në Prishtinë, Pomozotin, Istog, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë.

Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Pushtetit Lokal, Posta e Kosovës, Kombinati Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës dhe kompanitë rajonale të ujësjellësit dhe mbeturinave janë vetëm disa institucione shtetërore, që në muajt e fundit janë furnizuar me naftë dhe benzinë nga kompania Petrol Company, raporton Demokracia.com.

Petrol Company është një prej katër kompanive të derivateve të naftës në Kosovë, të cilave Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka pezulluar lejet për importin dhe deponimin e lëndës së parë, si dhe për shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë apo mazuti.

Sipas Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, këto kompani u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.

Ndaj njërës kompani janë duke u zhvilluar edhe procedura nën dyshimet për mashtrim me cilësinë e karburanteve, që u është shitur institucioneve publike.

Në një konferencë për media, ministrja Hajdari kishte thënë se gjatë javëve të fundit janë marrë dhe testuar disa mostra të naftës dizel, të përdorura në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në to, sipas saj, janë gjetur raste të jokonformitetit.

Më saktësisht, sipas ministres Hajdari, në një rast është gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh në kilogram, që tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.

Me udhëzimin administrativ për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë lejohet vetëm importi i derivateve të naftës me sulfur deri në 10 mg/kg. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme