Amnesty Interantional ka bërë reagimin publik duke i kërkuar kompanisë Kelkos Energy që t’i tërheq paditë për shpifje ndaj Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi. Kompania me bazë në Austri, Kelkos Energy paditi aktivistët Shpresa Loshaj njëherit edhe udhëheqëse e organizatës jo-qeveritare ‘Pishtar’ dhe aktivistin Adriatik Gacaferin me një shumë prej 100 mijë eurosh për kërkim falje, largimin e postimeve shpifëse dhe deklaratave kundër kësaj kompanie për menaxhimin e katër hidrocentraleve në Deçan prej vitit 2016.
Aktivistja, Shpresa Loshaj Demokracia.com tha se kompania Kelkos Energy nuk kishte as licencë ligjore nga ZRRE prandaj edhe nisi aktivizimin e saj.
‘’Ne si organizatë jo-qeveritare e kemi bërë hulumtimin lidhur me punën e Kelkosit ku kemi parë që licencë që iu ka dhënë Zyra e Rregullatorit nuk ka pasur bazë ligjore, e në bazë të këtij raporti unë i kam shkruar Zyrës së Rregullatorit që në bazë të ligjit nuk është licencë legjitime dhe duhet me tërheqë’’, tha Loshaj.
Ndërkohë lidhur me dokumentin dhe licencën e dhënë nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë për operimin e kësaj kompanie në Kosovë, Demokracia.com i ka dërguar pyetje edhe ZRRE-së dhe sipas këtij institucioni hidrocentralet posedojnë të gjitha lejet ligjore për të operuar në komunën e Deçanit.
”Nuk është e vërtetë kjo që thuhet, sepse HC-të në Deçan që janë duke operuar posedojnë të gjitha lejet e përcaktuar me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Demokracia.com
Ndërsa aktivistja Loshaj tha se ajo doli haptas për ta kundërshtuar operimin e kësaj kompanie në Kosovë, prandaj edhe u paditë në këtë mënyrë.
‘’Unë kam thënë që ata nuk kanë leje mjedisore dhe kanë operuar pa leje që nga viti 2016. Pastaj kam ndarë një video qesharake se si duket hidrocentrali i hekurit ku kanë thënë se ato janë të betonit dhe jo të hekurit, po me rëndësi aty ka qenë se uji ka hy prej lumit dhe e gjithë kjo është qesharake se si janë munduar që të më lënë fajtore’’, tha Loshaj për Demokracia.com.
Përveç padive Loshaj tha se pati edhe kërcënime nga Kelkosi për aktivizimin e saj për ruajtjen e mjedisit dhe akuzave ndaj punës së kësaj kompanie.
‘’Kjo kompani ka përdor edhe kërcënime ndaj meje. Kelkos e ka një grup pas që e bënë heshtjen e njerëzve që nuk kanë guxim me dal haptas. Ne i kemi vendos posterat ditën ndërsa natën na i kanë largu. Më kanë thënë mos u përziej në këto punë. Pastaj e kanë kontaktuar edhe babain tim edhe i kanë thanë që të largohem, por kam vendosur që mos të dorëzohem’’, tha Loshaj.
Një padi e tillë nga Kelkos Energy u bë edhe ndaj aktivistit për mbrojtje të mjedisit, Adriatik Gacaferi, i cili për Demokracia.com tha se vendimi për padi iu bë në korrik të vitit 2020 duke treguar arsyen e kësaj padie.
‘’Në korrik 2020 ka ardhur vendimi për padinë e Kelkosit. Kam qenë aktiv ndaj dëmeve që ka bërë ndërtimi, dhe që nuk ju ka përmbajtur marrëveshjes sepse 30% të ujit duhet të lihet në shtat. Pastaj ka qenë postimi se edhe pse Kelkosi nuk kishte leje për me prodhuar rrymë në hidrocentral gjersa ajo punonte dhe një video e tillë është bërë virale dhe nga këto postime mora padinë me pretendimin se hidrocentrali nuk ishte duke punuar, dhe kemi mjaft fakte që Kelksoi ka shpifur ndaj nesh”, tha Gacaferi.
Vlera e padisë që iu bë aktivistëve ishte deri në 100 mijë euro. Përderisa Gacaferin, Kelkosi e paditi me shumën e 10 mijë eurove pasiqë ishte aktivist individual për Loshaj vlera e padisë ishte 100 mijë euro e që kjo shumë sipas saj ishte shokuese dhe sipas saj qëllimi i kësaj vlere ishte për t’i frikësuar më shumë të tjerët për mosaktivizëm.
‘’Shuma e padisë ka qenë shokuese edhe e kam ditë që nuk ka qenë qëllimi vetëm mua me më frikësu, por çdo kënd në Deçan që mendon me fol për Kelkosin’’, tha Loshaj.
Lidhur me këto padi, Demokracia.com tentoi të kontaktonte edhe Kelkos Energy për të marrë një përgjigje se pse janë paditur dy aktivistët kosovarë, mirëpo e njëjta nuk ktheu një përgjigje.
Por, si arriti mbrojtja e aktivistëve që të ngritët zëri deri në reagimin e Amnesty Internacional për tërheqje të padive të Kelkos Energy?
Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias u morë drejtpërdrejt me mbrojtjen e këtyre dy aktivistëve për fjalën e lirë dhe kundër shpifjes dhe padive të njerëzve të fuqishëm.
Për Demokracia.com, këshilltarja ligjore në Qendrën Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari thotë se ideja e SLAPP për angazhimin kundër padive të biznesmenëve dhe politikanëve ndaj gazetarëve dhe aktivistëve nisi nga vrasja e gazetares në Maltë. Ajo thotë se edhe në Kosovë ka një numër të gazetarëve që paditen nga biznesmenët dhe politikanët.
‘’Ideja e SLAPP nisi nga vrasja e gazetares në Maltë, e cila kishte rreth 50 padi aktive kundër shpifjes për shkak se politikanët dhe biznesmenët donin t’i bënin presion përmes padive. Pas këtij rasti u hulumtua dhe u pa se çështja ishte se ajo nuk shpifte mirëpo u padit si taktik për ta frikësuar atë’’, tha ajo.
‘’Në nivel të Kosovë kemi parë që ka gazetarë të paditur nga biznesmenë dhe politikanë që kanë kërkesa për shuma të mëdha të hollash, dhe fakti që kërkohet një dëmshpërblim kaq i madh është se përmes tyre kërkohet me u hesht e mos me fol kurrë më, dhe kjo padi quhet Padi SLAPP’’, tha Kusari.
Por çfarë është padia SLAPP dhe sa raste të tilla ka në Kosovë?
Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari tha se pikërisht kjo padi është padi që nuk ka bazë, pra është shpifje që përdoret vetëm për t’i frikësuar aktivistët apo gazetarët.
‘’Kjo padi është që nuk ka bazë dhe paditësit janë kryesisht biznesmenët dhe politikanët, të cilët janë të aftë për të marrë kompani të avokatëve edhe me bo padi e që qëllimi i tyre nuk është me fituar në gjykatë. E gjithë kjo bëhet për të frikësuar gazetarët dhe aktivistët dhe me i zvarritë nëpër gjykata dhe me dërgua një mesazh për të tjerët se çfarë i pret nëse flasin apo kritikojnë’’, tha Kusari.
Kusari thotë se edhe paditë e Kelkos Energy ndaj Loshaj dhe Gacaferit ishin padi SLAPP.
‘’Në Kosovë ka shumë padi të tilla, mund t’i përmendim tri të tilla si Padia e Shpresës, Adriatikut dhe BIRN-it. Padia e Shpresës dhe Adriatikut është e mirëseardhur pasiqë që ka reaguar edhe Amnesty international’’, tha Kusari për Demokracia.com
Kusari thotë se tutje se pritet që Gjykata ta konfirmojë këtë padi si SLAPP, në mënyrë që të hidhet poshtë.
‘’Ne e kemi ditë që është Padi SLAPP e këtë na e konfirmua edhe reagimi i Amnesty International, tani presim që Gjykata me e njoftë këtë padi si SLAPP, me e hedhë poshtë sa ma shpejtë.’’, tha Kusari.
Sipas saj, përmes direktivave të BE-së pritet që të zbatohet legjislacioni kundër padive SLAPP.
‘’Në nivel Qendror janë dy iniciativa, një para Komisionit Evropian dhe një para Këshillit të Evropës për me draftu një rekomandim kundër padive SLAPP. Jam pjesë e një grupi të eksperteve që është bëra në kuadër të BE-së dhe së shpejti do të kemi direktivat dhe pastaj në Kosovë të fillojë të zbatohet ai legjislacion.
Përveç kësaj Kusari për fund tha se ajo ka krijuar edhe një grup në rrjetin social ‘Facebook’ përmes së cilit do t’u ndihmohet njerëzve që paditën në këtë mënyrë.
‘’E kam krijuar një grup në ‘Facebook’, ‘Iniciativa Kosovare Kundër Padive SLAPP’, përmes së cilës jemi më afër atyre që paditen nga kompani biznesore apo politikanë për të heshtur’’, tha Kusari.
Kujtojmë se me 25 maj të këtij viti, një komision disiplinor nga Ministria e Mjedisit shkarkoi drejtorin në detyrë të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, z. Gani Berisha, për shkelje në procesin e licensimit të hidrocentraleve, përfshi edhe lejet ujore të lëshuara Kelkos Energy për tre prej hidrocentraleve të saj në Deçan – Lumbardhi II, Belaja dhe Deçani.38 Raporti i Grupit të Punës dhe gjetjet përkatëse pritet të publikohen në fund të qershorit./Demokracia.com/