Finlanda synon për të rritur aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore me bazë tokësore dhe aktualisht po zgjedh midis dy sistemeve raketore tokë-ajër të prodhuar nga Izraeli. Qeveria nuk e ka bërë të ditur çmimin e marrëveshjes.
Ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Antti Kaikkonen, tha se Finlanda po përmirësonte mbrojtjen e saj kundërajrore, sipas faqes së lajmeve, ‘yle.fi’.
“Është një investim thelbësor, një investim i madh menjëherë pas avionëve luftarakë”, – shpjegoi ai. Kompanitë “Israel Aerospace Industries” dhe “Rafael Advanced Systems”, janë dy prodhuesit në garë.
Ministri i Mbrojtjes tha gjithashtu se Finlanda kishte mësuar se Bjellorusia po i bashkohej pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne kemi informacione nga inteligjenca që tregojnë se Bjellorusia po konsideron të marrë një rol më të madh [në Ukrainë]”, – tha ai.
Ministri i Mbrojtjes, shtoi se Finlanda po përgatitej për “një numër skenarësh”, ndërsa situata në Ukrainë zhvillohet. Por ai theksoi se Finlanda nuk po përballet me ndonjë kërcënim të menjëhershëm.
“Situata në kufijtë tanë është paqësore, por ne ende duhet të qëndrojmë vigjilent dhe të forcojmë aftësitë tona mbrojtëse. Kjo është diçka që duhet ta bëjmë gjithmonë”.
Gazeta Si shkruan se Kaikkonen vuri në dukje se shumë rezervistë e humbën stërvitjen e tyre përtëritëse gjatë pandemisë dhe tha se do të ishte mirë tani që të “plotësohej boshllëku”.
Ai gjithashtu zbuloi se Finlanda ishte e angazhuar në diskutime për bashkëpunimin e mbrojtjes me Mbretërinë e Bashkuar. Të premten Britania premtoi të ndihmojë Suedinë nëse sulmohet nga Rusia.
Kur u pyet nëse ai mendonte se Britania e Madhe do t’i vinte në ndihmë Finlandës në rast të një sulmi të mundshëm, Kaikkonen tha: “Partneriteteti që kemi me vende të ndryshme, është aq i thellë sa mendoj se nëse Finlanda do të ishte objektivi i një sulmi, shtetet e tjera të BE-së nuk do të qëndronin në heshtje”.
Të premten, presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö dhe presidenti amerikan Joe Biden, ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.