Lajme
Frikë dhe pasiguri ngjallin deklaratat e Kurtit për luftë
Demokracia
21:52 | 08 Gusht 2022

Share:

Nxitëse është konsideruar deklarata e kryeministrit Albin Kurti dhënë për mediumin “La Republica”, i cili tha se rreziku i një konflikti me Serbinë është i lartë.

Në një intervistë për “La Repubblica”, Kurti ka thënë se mundësitë për një luftë të tretë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë, janë shumë të larta.

“Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thosha të kundërtën, veçanërisht pasi bota ka parë se çfarë ka bërë Rusia me Ukrainën. Ne jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci, në fund të fundit. Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të Kremlinit për pansllavizmin, ishte Ukraina. Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë shanset që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë, do të jenë shumë të larta”, tha Kurti, përcjell Demokracia.com.

E kjo deklaratë e Kurtit ka ngjallur reagime të forta në vend dhe jo vetëm.

Fillimisht ishte ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili tha se deklaratat që në Kosovë mund të ketë luftë po e dëmtojnë imazhin publik në sy të investitorëve të huaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rukiqi shkroi se një kompani amerikane që ka pasur në plan të investojë në Kosovë ka kontaktuar me të, duke shprehur shqetësimin për lajmet që po lexojnë në mediat botërore.

“Përhapja e opinionit, në mediat globale, që në Kosovë mund të ketë luftë, nuk ia sjell asnjë dobi Kosovës. Kompani të interesuara për investime në Kosovë, në mesin e tyre një kompani amerikane që planifikon të hap degë në Kosovë, në muajt në vijim, më kanë kontaktuar në ditët e fundit, të shqetësuara nga ajo që kanë lexuar”, ka thënë ai, raporton Demokracia.com.

Ai shtoi se Kosova edhe pa këto deklarata ka një imazh si vend i konfliktit dhe rrezikut të lartë politik, që ndikon që të mos ketë interesim për investime.

Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku ka thënë se lufta konvenciale ka përfunduar dhe tash betejat janë të një natyre tjetër.

E dyta e PDK-së e ka akuzuar Kurtin se po ndjell frikë edhe panik, duke shtuar se NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës.

“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu. Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë. Ndërkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, ka shkruar Çitaku, raporton Demokracia.com.

Reagime ndaj kësaj deklarate të Kurtit pati edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, fillimisht kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku tha se Kurti flet për luftë e jo për integrime apo investime.

Sipas tij, paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë.

“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, u shpreh Abdixhiku, duke thënë se Kurti dëshiron krizë.

Më tej, Abdixhiku theksoi se Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim e jo mesazhe paralajmëruese për luftë.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?. Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”. Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarake, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik”, deklaroi tutje Abdixhiku.

Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka nevojë për urtësi në qeverisje dhe se në mediat ndërkombëtare duhet të dërgohen që përçojnë pozitivitet për të ardhmen euroatlantike.

Ai shtoi se karshi botës duhet bërë e ditur se ka ende çështje të pazgjidhura, por që ato duhet të zgjidhen me dialog.

“Kosova ka nevojë për urtësi dhe normalitet në qeverisje. Nga Kosova duhet të dërgohen mesazhe që nxisin pozitivitet për të ardhmen tonë euro-atlantike, për jetë më të mirë e për sigurinë e investimeve. Ne duhet që të sqarojmë para të gjithëve se ende kemi çështje të hapura me fqinjin verior, të cilat çështje do t’i zgjidhim me dialog, në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar, sepse opcion tjetër nuk ka dhe nuk do të lejohet të ketë”, ka thënë Hoti. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme