Lajme
Frika për rënie nga pushteti | Nis presioni i njerëzve të presidentes Osmani mbi Gjykatën Kushtetuese
Demokracia
14:31 | 30 Mars 2023

Share:

Ende pa dalë aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi ankesën për dy deputetë që Lista Serbe kishte pasur ndërhyrje në procesin e votimit, që po rrezikon karrigen e presidentes, stafi i Vjosa Osmanit ka filluar me sulme kundrejt Kushtetueses.

E gjithë historia ka të bëjë me manipulimin që kishte bërë Lista Serbe duke i obliguar qytetarët e komunitetit serb të votojnë për kandidatë lojal ndaj tyre brenda listave të komuniteteve tjera pakicë. Përmes këtij presioni, kjo parti kishte siguruar në zgjedhjet e fundit 10 deputetë të rezervuar për komunitetin serb, duke marrë kështu edhe deputetë nga komunitete tjera në grupin e tyre parlamentar.

E para që kishte fituar betejën, ka qenë deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje. Ajo kishte kontestuar votat e Adriana Hoxhiq sepse të njëjtat ishin konstatuar që vinin nga lokalitete ku nuk ka komunitet boshnjak.

Mbi të njëjtin argument, prezumohet kthimi i mandatit të deputetit edhe Veton Berisha nga komuniteti egjiptian.

Pas këtyre raportimeve, është parë një mobilizim i stafit të presidentes dhe njerëzve përreth për kryqëzim të Gjykatës Kushtetuese. Emëruesi i përbashkët i krejt kësaj për njerëzit e Osmanit është “skenari i Serbisë”.

“Dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, krahu i djathtë i Osmanit, Faton Peci, po ashtu e ka quajtur “skenar të Serbisë për destabilizim institucionesh” një mundësi të tillë.

“Një veprimi të tillë me siguri do t’i gëzohej Beogradi zyrtar, sepse ky në fakt është skenar i Serbisë për destabilizim institucional të Kosovës”, deklaroi ai.

Sulmet në drejtim të Kushtetueses janë parë edhe këto ditë, kur kjo e fundit rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi u gjetën një mal me shkelje. Ministrja e Drejtësisë vlerësoi se gjykimi është bërë në bazë të interesave individuale.

“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është koorporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’i ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së, dhe jo të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i koorporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, deklaroi ajo.

Shefi i Qeverisë, Albin Kurti, vlerësonte se kush shkel kushtetutën është “super-kriminel”. Mirëpo dje, në një intervistë, synoi ta relativizonte këtë duke thënë se “ka shkelje të rënda dhe të lehta kushtetuese”. /Demokracia.com/

Të ngjashme