Lajme
Frika e një sulmi terrorist, forcat e ushtrisë blindojnë sinagogat dhe ambasadën e Izraelit në Danimarkë
Demokracia
21:33 | 03 Dhjetor 2023

Share:

Danimarka vendosi të marrë nën mbrojtje të gjitha vendet dhe institucionet që kanë lidhje me hebrejtë dhe Izraelin. Ministria e Mbrojtjes në Danimarke bëri me dije se forcat e armatosura do të mbikqyrin vende si sinagogat apo ambasada izraelite për një afat të pacaktuar.

“Situata në Izrael dhe Gaza po ushtron shumë presion ndaj policisë. Në këtë kontekst, u vendos që forcat e armatosura do të mbështesin mbikëqyrjen e vendeve hebraike dhe izraelite në Kopenhagen siç është sinagoga apo ambasada izraelite”, tha Ministri i Mbrojtjes Trelles Lund Poulsen.

Ushtarët do të vendosen nga 6 dhjetori për një periudhë të pacaktuar dhe nevojat do të rivlerësohen rregullisht. Disa protesta në përgjigje të luftës së Izraelit kundër Hamasit, të kombinuara me djegien e Kuranit në vendin skandinav, kanë tensionuar punën e policisë daneze, shkruajnë mediat e huaja. Ndërsa sipas ministrit të Drejtësisë kërcënimi me të cilin përballet Danimarka është serioz.

“Konflikti në Lindjen e Mesme ka çuar në një rritje krejtësisht të papranueshme të antisemitizmit dhe pasigurisë midis hebrenjve në Danimarkë,” shtoi ai.

Midis 6,000 dhe 8,000 njerëz me besim hebre jetojnë në Danimarkë, sipas institutit Utrikespolitiska, një institut i pavarur kërkimor. E pyetur nga AFP nëse një masë e ngjashme do të merrej për vendet myslimane në vend, Ministria e Mbrojtjes nuk ishte në gjendje të përgjigjej menjëherë.

Të ngjashme