Lajme
Francë, ish-ministrja e Shëndetësisë paditet për menaxhimin e COVID-19
Demokracia
08:10 | 12 Shtator 2021

Share:

Agnes Buzyn, ministre e Shëndetësisë së Francës në kohën kur filloi pandemia, u padit të premten me pretendimin se ka “vënë në rrezik jetën e qytetarëve”.

Vetëm disa orë pasi u mor në pyetje, prokurorët e Gjykatës së Drejtësisë së Republikës dorëzuan padinë kundër Buzyn si pjesë e hetimeve mbi menaxhimin e krizës shëndetësore nga qeveria franceze.

Pak më parë, ajo iu kishte thënë gazetarëve se ishte një ‘mundësi e shkëlqyer që të shpjegoj veten’.

‘Unë nuk do të lejoj që veprimet e qeverisë, veprimet e mia si ministre, të njollosen pasi kemi bërë kaq shumë për të përgatitur vendin tonë për një krizë globale, e cila më lejoni t’ju kujtoj, se është ende në vijim’, shtoi ajo.

58-vjeçarja dha dorëheqjen nga posti i ministres në shkurt të 2020 për të kandiduar si kryetare e bashkisë së Parisit me partinë e Presidentit Emmanuel Macron.

Në fund të janarit, kur ishin konfirmuar vetëm tre rastet e para në Francë, Buzyn, me profesion hematologe, deklaroi se rreziku i përhapjes së virusit në Francë ishte “shumë i ulët”, për shkak të shtetrrethimit strikt në Wuhan, deklaratë të cilën e zbuti pak më vonë duke u shprehur se “situata mund të ndryshojë”.

Ajo u vu në qendër të akuzave pasi u zbulua se Franca kishte mungesa të mëdha të pajisjeve mbrojtëse për stafet mjekësore, ndërsa në janar kishte deklaruar se vendi kishte ‘dhjetëra milionë maska në stok në rast epidemie’, shkruan euronews.

Pasi u rendit e treta në zgjedhjet lokale, ajo thotë se paralajmëroi Macron dhe qeverinë mbi rrezikun e virusit.

“Mendoj se kam qenë e para që ka kuptuar se çfarë po ndodhte në Kinë”, është shprehur Buzyn për gazetën franceze Le Monde.

‘Kur u largova nga ministria, nisa të qaj pasi e dija mirë se çfarë cunami po na priste. Që prej fillimit, mendoja vetëm për një gjë: coronavirusin’, shtoi ajo.

Franca është vendi i dytë më i prekur në Europë, pas Italisë, me mbi 115 mijë viktima nga COVID-19.

Të ngjashme