Lajme
Franca riatdheson gra dhe fëmijë nga Siria
Demokracia
18:20 | 20 Tetor 2022

Share:

Franca ka bërë të ditur se ka riatdhesuar dhjetëra gra dhe fëmijë nga Siria.

Të rriturit ishin në mesin e shtetasve francezë që shkuan vullnetarisht në zonën Irak-Siri që në atë kohë ishin të kontrolluara nga i ashtuquajturi Shteti Islamik.

Shumë nga fëmijët e tyre kanë lindur në këto territore. Ata ishin mbajtur në kampet e burgjeve xhihadiste në verilindje të Sirisë.

Grupi, i përbërë nga 15 gra dhe 40 fëmijë, mbërriti në orën 3:30 të mëngjesit në Villacoublay, afër Parisit, këtë të enjte.

Sipas një burimi të sigurisë, mes të pranishmëve ishin 14 nëna, një grua e re pa fëmijë dhe 40 fëmijë, shtatë prej të cilëve janë jetimë. Gratë e riatdhesuara ishin nga mosha 19 deri në 42 vjeç.

“Të miturit janë dorëzuar në shërbimet përgjegjëse për mbështetjen e fëmijëve dhe do t’i nënshtrohen monitorimit mjekësor dhe social. Të rriturit i janë dorëzuar organeve kompetente gjyqësore”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Ky përfaqëson operacionin më të madh të riatdhesimit të Francës të këtij lloji në tre muaj. 16 gra dhe 35 fëmijë u riatdhesuan më 5 korrik.

“Franca falënderon autoritetet lokale në verilindje të Sirisë për bashkëpunimin e tyre, i cili bëri të mundur këtë operacion”, shtoi ministria.

Rreth 300 fëmijë francezë që kanë jetuar në territore të kontrolluara nga terroristët janë kthyer në Francë, 77 prej të cilëve me riatdhesim, siç u raportua në fillim të këtij muaji nga ministri francez i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti.

 

Të ngjashme