Lajme
“Franca po e kushtëzon anëtarësimin e Kosovës në KE me dialogun me Serbinë”
Demokracia
21:12 | 13 Maj 2022

Share:

Analisti politik, Agon Maliqi ka reaguar pas qëndrimit të Francës lidhur me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit Evropian.

Maliqi përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se Franca po e kushtëzon mbështetjen e saj ndaj Kosovës me përparimin në dialogun me Serbinë, përcjell Demokracia.com.

“Duke përdorur një gjuhë shumë diplomatike, Franca në dukje po e kushtëzon mbështetjen e saj politike për ofertën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me përparimin në dialogun Kosovë-Serbi. Gjermania dhe Britania e Madhe nga ana tjetër janë qartësisht mbështetëse. Uniteti perëndimor në veprim”, ka thënë ai.

Ndërkohë, të premten Ambasada e Francës në Kosovë përmes një reagimi ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione.

Ky reagim në rrjetin social Twitter, vjen pas vendimit të Kosovës për të aplikuar që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, përcjell Demokracia.com.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. Kosova është e destinuar të bëhet anëtare. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të investojnë plotësisht në këtë dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensionet”, thuhet në këtë reagim.

Lidhur me këtë çështje, të premten ka reaguar edhe Pierre Cochard, ambasadori i Francës në Serbi i cili ka thënë se nuk mbështesin veprimin e fundit të Kosovës.

I pyetur nëse Franca do të votojë për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadori Cochard tha se për momentin nuk është ngritur një pyetje e tillë, meqë do të kërkohet mendimi i Asamblesë Parlamentare dhe pastaj të rishqyrtohet kandidatura, përcjell Demokracia.com.

“Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të qëndrueshme dhe kjo është ajo që është urgjente. Pra, ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar. e cila nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, është shprehur Cochard.

Ndryshe, Kosova të enjten ka aplikuar zyrtarisht që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Sidoqoftë, deri më tani nuk dihet se kur do të vendoset se a do të pranohet ose jo./Demokracia.com/

 

Të ngjashme